Gjatë konferencës për shtyp së bashku me Përfaqësuesen e LArtë të BE-së, Federica Mogherini, Kryeministri Rama komentoi edhe idenë e korrigjimit të kufijve të Kosovës. Ai e konsideroi atë një gënjeshtër të pabesueshme që qarkullon vetëm në rrjetin online.
“Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe për të krijuar në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës më kujton atë shprehje se që pa dalë Facebook budallain e njihte vetëm shtëpia e vet. Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe. Ajo porosia e një manuali të agjitacionit nazist që thoshte nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme është në përdorim të përditshëm për të goditur kundërshtarë, për të sulmuar njerëz, për të masakruar karaktere, personalitete, individë në të gjitha nivelet, duke përfituar nga Facebook dhe nga mundësia për të torollisur gjithë dynjanë me gënjeshtra marramendëse dhe me budallallëqe marrëzitëse. Nuk dua të zgjatem në këtë pikë, por dua të them: Nëse gjenden aq shumë budallenj sa të besojnë se një proces që përfshin shtete dhe jo dy shtet, që përfshijnë parlamente, që përfshijnë parti politike, që përfshijnë shoqëri, që përfshijnë votime referendare mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në të gjithë këtë proces si miu ndër mustaqe atëherë kjo botë ka marrë fund. Unë besoj që çdo shqiptar me dy fije mend në kokë e kupton që kjo është e gjithanjë gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që të mund të shitet e blihet në territorin e marrëzisë online”, tha Rama.
Ndërkohë, Federica Mogherini, theksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është penguar prej tarifës 100%. Sipas saj nëse tarifat hiqen, dialogu mund të rifillojë menjëherë. Ajo nënvizoi se BE respekton pozicionet e secilës palë në dialog dhe shpreson që të dominojë mençuria dhe zgjuarsia pasi nga ngërçi i dialogut nuk përfiton askush.
“Dialogu së pari ka sjellë rezultate të rëndësishme për vite me si për Beogradin ashtu dhe për Prishtinën, por edhe për rajonin. Muajt e fundit kanë qenë të vështirë që nga momenti që mund të kishte në një fazë bisedimesh intensive. Vendimi i Kosovës për të përcaktuar 100% tarifa për mallra që vijnë nga Serbia dhe Bosnja ka krijuar një ambient jo frytdhënës për dialogun. Është edhe në shkelje të marrëveshjeve që ka nënshkruar Kosova. Ne kemi kërkuar të hiqen këto tarifa dhe kjo do krijonte kushtet që dialogu të rifillonte. Jam e bindur që nëse hiqen këto tarifa, sonte, nesër në mëngjes unë do bëja thirrje për një seancë të dialogut dhe kjo do ishte e vështirë, por ndoshta frytdhënëse. Në mungesë të këtij mjedisi, unë nuk shoh që këto gjëra të rifillojnë. Kështu që përgjegjësinë e kanë në dorë, ose është në duar të vendimmarrësve në Kosovë. Siç e thashë më parë një mjedis ushqyes që sjell këtë gjë do thoshte edhe pezullimin e njohjes apo e këtyre fushatave për njohjen apo rinjohjen e Kosovës. Dialogu është i tyre, nuk është i yni. Jo vetëm që respektojmë pozicionet e secilës palë, por marrim seriozisht dhe rolin tonë. Shpresoj që do dominojë mençuria, zgjuarsia pasi askush nuk do fitonte nga ky ngërç në dialog, pasi pajtimi dhe normalizimi është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin”, tha Mogherini./abcnews.al