Gjenocidi në Srebrenicë, publikohet projekt-rezoluta: 11 korriku Dita e Përkujtimit

schedule11:50 - 30 Qershor, 2022

schedule 11:50 - 30 Qershor, 2022

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka paraqitur në Kuvend një draft rezolutë “për kujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”.
Drafti pritet të miratohet në seancën parlamentare të 7 korrikut.

“Nxit fenomenin e pandëshkueshmërisë ndaj krimeve të luftës si dhe shkel mbi dinjitetin e më shumë se 8 mijë civilëve që u masakruan në Sreberenicë, të mbijetuarave dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj rreth 10 mijë shqiptarëve të vrarë gjatë spastrimit etnik në Kosovë dhe 20 mijë grave të dhunuara nga regjimi serb i Slobodan Miloshevicit;”, thuhet në projektrezolutë.

Ndër të tjera theksohet se Kuvendi dënon fuqimisht çdo prirje dhe veprim për të mohuar publikisht me qëllim ose jo, gjenocidin e kryer në Srebenicë, fshehjen e motiveve, lavdimin e autorëve, ideatorëve dhe mbështetësve të këtij gjenocidi.

Gjithashtu konsideron të papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike si pasojë e mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, masakrave dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit kryer në të gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë nga disa individë, grupime, e aktorë politikë e mediatikë brenda e jashtë rajonit të Ballkanit.

Në projektrezolutë, Kuvendi kërkon që të nderojë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke iu referuar vendimit të Parlamentit Evropian, të shpallë datën 11 korrik si Ditën e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.

/abcnews.al/