Nuk duhet ta mendojnë dy herë sipërmarrësit e huaj për të investuar në Ballkan e veçanërisht në Shqipëri. Një ftesë të argumentuar marrin nga kryeministri Edi Rama në samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim që u mbajt në Sarajevë.
“Pra, në këtë mjedis, do i thoja të gjithë njerëzve të pranishëm këtu, që kanë ardhur në Sarajevë për biznes dhe që i përkasin komunitetit të biznesit, ndër mjediset e ndryshme të paparashikueshme, ne jemi më i miri, sepse kemi taksa më të ulëta dhe kemi kosto më të ulët pune. Të investosh në Ballkan tani, në çdo vend të Ballkanit është vendim i mirë. Po lajmi i mire në tërë këtë proces është që njerëzit nga komuniteti i biznesit nuk po përballen me të njëjtat probleme dhe vështirësi që ne po shohim në nivel politik, për të rënë dakord, pavarësisht ideve të kundërta, kur flasim për krijimin e kësaj zone ekonomike, tregut të përbashkët”, tha Rama.
Në panelin e liderëve, Kryeministri Rama iu përgjigj disa pyetjeve që kishin të bënin me klimën e biznesit në vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe mundësitë për të nxitur edhe më shumë investimet e huaja si rezultat i proceseve integruese.
“Ndërkohë që BE-ja po mundohet të zgjidhë problemet e brendshme dhe të reformohet e të përmirësohet, pasi të ketë kaluar më të keqen, ne duhet të thellojmë reformat tona, jo vetëm në secilin vend, por edhe për rajonin, që është e vështirë dhe jo për të komplimentuar mikpritësin, por BERZH ka qënë shumë mbështetës dhe ne e shohim atë si një nga burimet që na mësojnë si të kapërcejmë vështirësitë kur flasim për krijimin e modeleve të suksesshme dhe ngritjen e urave lidhëse”, tha ai.
Në përfundim të panelit, duke iu përgjigjur interesit të medias, Kryeministri nënvizoi se rëndësinë që ka bashkëpunimi rajonal, tregtia e lirë dhe tregut të përbashkët rajonal.
“Është më e thjeshtë ta thuash se ta bësh. Po jetojmë në një kohë interesante, ka probleme për t’u përballur, por ka edhe shumë mundësi”, tha Rama.
Edhe pse kilometra larg Tiranës kryeministri Rama nuk i ka shpëtuar interesimit të mediave për protestat e opozitës.
“Ka shumë më tepër çështje në Britani sesa ne Ballkan, kështu që mos u shqetësoni, nuk jemi vetëm”, tha kryeministri./ABC News Albania 24/7