Kreu i komisionit të ligjeve Ulsi Manja dhe paraardhësi i tij Fatmir Xhafaj teksa flasin për reformën në drejtësi dhe procesin e zbatimit të ndryshimeve kushtetuese, duket se identifikojnë armiq të ndryshëm. I pari njeh demokratët si shkaktarët e vetëm të vonesës tre vjeçare në zbatimin e ligjit, por nuk ndodh kështu me ish kreun e komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj.
Ligji i fundit i paketës së reformës në drejtësi, nxorri në foltore jo pak por gjashtë socialist në foltoren e parlamentit.
Diskutimi, i pritur për ligjin që ndryshon shërbimin përmbarimor gjyqësor në Shqipëri, mori tjetër kthesë..
Manja: “Kuvendi përmbyll miratimin e plotë të paketës së reformës në drejtësi, por në rrafshin politik ajo është përballur me murin e pengesës ngritur nga PD. Nuk lënë takim e medium duke thënë se jemi pa Gjk pa GJL, PP, ILD SPAK. Për të gjitha këto shqetësime ka vetëm një përgjegjës PD dhe askënd tjetër”.
Nuk e sheh kështu paraardhësi i tij në krye të komisionit të ligjeve, njëkohësisht ish-kryetar i komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj.
Xhafaj: “Nuk është herezi nëse e pranojmë se të gjitha nuk kanë ecur si duhet, kjo lidhur me shpejtësinë e procesit, vonesat e krijuara për GJK, SPAK etj janë probleme që rrjedhin nga kompleksiteti i reformës. Prej vonesave të krijuara nga kundërshtarë brenda dhe jashtë vendit, PD dhe pengesa ligjore.
Vonesa ka sjellë edhe ankimim në Gjykatën Kushtetuese të ligjeve organike të reformës në drejtësi sipas Manjës.
“Vettingu në 2016, por për shkak të ankimimit u pezullua deri në janar 2017”.
Por detyrimin e adresimit të neneve të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese për shkak të ankimimit të opozitës ndaj ligjit që rregullon institucionet e reja të drejtësisë, ja kujtoi ish-ministri Xhafaj.
“Natyrisht jemi pak të vonuar në kohë, mosmiratimin e ndryshimeve të imponuara nga vendimi i GJK”.
Kështu, ndërsa Ulsi Manja problemin e gjen jashtë parlamentit.
“PD dhe dashakeqët pasi nuk ja dolën ta pengojnë reformën dhe vettingun, në përpjekje të fundit dolën në rrugë”.
Xhafaj e gjen atë fillimisht brenda institucionit që ka për detyrë ndjekjen e zbatimit të reformës.
“Padyshim kuvendi ka rolin e vet pasi ka detyrimin e koordinimit dhe kontrollit. Komisioni i ngritur për këtë qëllim si mekanizëm në vlerësimin tim duhet konsideruar si zgjidhje e dështuar, si për autoritet apo aftësi”.
Problematika që sipas ish kreut të reformës në drejtësi Xhafaj lidhen edhe me mungesën e shpejtësisë në vendimmarrje me një koordinim jo efikas të procesit të ngritjes së institucioneve dhe cilësinë e funksionimit të këshillave të ri, sidomos Këshillit të Lartë të Prokurorisë. /ABC News Albania 24/7