Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, komentoi këtë të martë në studion e ABC News, përplasjen mes kryeministrave Rama-Haradinaj, pas samitit të Berlinit. Sipas tij, Haradinaj nuk duhet të bëjë publike bisedat që kryhen me dyer të mbyllura.
Ai theksoi se Kosova nuk duhet të lëshojë ultimatume ndaj Bashkimit Europian, por të ketë një strategji në mënyrë që të përfitojë në procesin e liberalizimit të vizave.
“Mos të fokusohemi në çështje që nuk mendoj se kanë vlerë për opinionin publik. Ka një rregull që çështjet që bisedohen brenda dyerve të mbyllura nuk mund të bëhen objekt diskutimi apo spekulimi publik. Vetë kam drejtuar një ekip të gjerë në bisedimet me Greqinë, në bisedime të tjera dypalëshe gjithmonë kam qenë në kriticizmin e drejtë të mediave që ka kërkuar informacion, por nuk ka bisedime apo negociata që të zhvillohen nën prozhektorët apo nën kamera.
Do doja që komentin ta bëja krejt ndryshe. Kam mbajtur qëndrime të rrepta për një çështje dhe kam marrë duartrokitje , ndërkohë që kur jam ulur për çështje konkrete jam përballur me akuza dhe skepticizëm. Mendoj se kur shkohet në një tryezë para Francës dhe Gjermanisë duhet të jemi seriozë, sepse Haradinaj nga njëra anë kam parë që ka vlerësuar qëndrimin e Francës dhe Gjermanisë për idenë e shkëmbimit të territoreve dhe ka akuzuar Presidentin e Kosovës dhe Kryeministrin e Shqipërisë për çështjen e tarifave, kur dihet se nuk ka një vend të Europës apo SHBA që mund ta vlerësojë vendosjen e taksës si një akt të drejtë. Unë e kuptoj rrethanat që e kanë shpënë qeverinë e Kosovës drejt vendosjes së taksës, por në politikë të jashtme nuk e ke gjithmonë luksin të zgjedhësh mes dy të mirave. Ndonjëherë duhet të zgjedhësh mes të keqes më të madhe apo keqes më të vogël për të arritur në qëllimin final. Shpresoj që Kosova të ketë një strategji të qartë për të përfituar në procesin e liberalizimit të vizave. Nuk i shërben loja me ultimatume ndaj BE-së kur kthehemi pas samiteve sepse pa partneritetin e vendeve kyçe procesi nuk do ishte i mundshëm”, tha Bushati gjatë rubrikës “Mbrëmje ABC” nga Mirela Milori.
Nga ana tjetër për sa i përket marrëveshjes me Greqinë, Bushati nënvizoi se duhet të ketë vëmendje të veçantë ndaj deklaratës së ministrit të jashtëm grek. Sipas tij, politika shqiptare duhet të jetë më e matur në veprimet që kanë të bëjnë me çështje të ndjeshme.
“Nuk kam një informacion të plotë të them ku është ky proces. Unë jam ndjekës i vëmendshëm i të gjithë zhvillimeve politike, nuk di të ketë pasur raund të ri bisedimesh. Di që ka pasur kontakte në nivel kabinetesh të kryeministrave. Mua më shqetëson fakti që vjet kishim marrëdhënie disa herë më të stabilizuar me Greqinë dhe kjo ishte arsyeja pse Greqia ishte renditur në grupin e vende pararojë në procesin e integrimit të vendit tonë.
Deklarata e ministrit të jashtëm grek meriton një vëmendje të posaçme, sikundër mendoj që edhe veprimet tona për çështje që kanë sensibilitet duhet të jenë disa herë më të matura. Me fqinjin ka dy rrugë, ose konfrontim ose me ballafaqim me synim që diferencat që të adresohen. Greqia i dha provat me marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut”, tha Bushati.