Drejtori i Partizanit Olsi Rama i ftuar në emisionin “PRESSING” ne Abc News tha se, synimi i klubit nuk ishte titulli kampion. Rama zbuloi projektin e skuadrës për të ardhmen.
Partizani eshte shume prane titullit kampion i cili do të ishte i pari pas më shumë se 30 vitesh. I ftuar në emisionin Pressing ne Abc News, drejtori i partizanit Olsi Rama tha se titulli nuk ishte synimi i klubit. Rama siguroi se partizani ka një projekt për të krijuar një grup model për të ardhmen, ndërkohë që hodhi poshtë aleancat.
“Piksynimi ynë nuk ishte titulli kampion në fillim të kampionatit. Piksynimi ynë ishte të rrisnim nivelin individual të lojtarëve dhe nivelin e lojës së ekipit. Në sajë të punës së mirë të stafit teknik dhe përkushtimit të lojtarëve u arrit në rezultate më shpejt. Puna është vetëm në fillimet e veta. Objektivi ynë është të ndërtojmë një skuadër që do të jetë aty gjithmonë për të luftuar për titullin, për të prodhura lojtarë, për ti transferuar në kampionate më të forta”, tha Rama.
Olsi Rama zbuloi objektivin e partizanit për të ardhmen.
“Kryesore për të ardhmen është ndërtimi i atij kompleksi që do të krijojë mundësinë e akademisë së partizanit në kushte normale. Academia e partizanit do të jetë burimi i lojtarëve”, deklaroi Rama.
Sa i përket dënimit të Skënderbeut, Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit u shpreh:
“Nuk e doja dënimin e Korçës sepse ishte një njollë për futbollin shqiptar dhe preferoj që të mos ndërtoj suksesin tim mbi fatkeqësinë e të tjerëve. Do doja shumë që Skënderbeu të kthehej ai ekip që ka qenë dhe partizani të tregojë se sa bukur është ta mundësh Skënderbeun”.
Në lidhje me të ardhmen e Jasir Asanit, Rama tha se objektivi i klubit është ti rrisim lojtarët profesionalisht dhe më pas ti transferojmë jashtë, pasi fitojnë të dyja palët.
“Synimi është që lojtarët që marrim ti rrisim profesionalisht, e pastaj tu krijojmë mundësinë që ato të transferohen diku jashtë, në kampionate edhe më të mira. Në këtë mënyrë fiton dhe partizani edhe lojtari. Asani është në kontratë, kështuqë kudo që të iki dhe kushdo që do ta marri, duhet të flasë më parë me Partizanin” u shpreh ai./abcnews.al