Shëngjin, goditi me lopatë Armando Markun pas sherrit për shezlongët, në kërkim Paris Deda. Nën hetim në gjendje të lirë vëllai i Armando Markut, Erjon Marku i cili goditi gruan e Arbër (Paris) Dedës.
Policia njofton se për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, në Kune, Shëngjin, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, pas veprimeve hetimore, u bë zbardhja e plotë e dinamikës së këtij konflikti për motive pronësie, në të cilin u përfshinë shtetasit A.(P). D. dhe E. D. me shtetasit A. M. dhe E. M.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.(P). D., 48 vjeç, banues në Shëngjin, pasi ka goditur me sende të forta shtetasin A. M., 45 vjeç, banues në Shëngjin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, në lidhje me këtë konflikt, u referuan materialet procedurale në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit E. M., 41 vjeç (vëllai i shtetasit A. M.), banues në Shëngjin, pasi ka goditur shtetasen E. D., 46 vjeçe, banuese në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, në ngarkim të shtetasit A.(P).D., dhe për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të shtetasit E. M.
/abcnews.al/