Nuk ndryshon masa për Arben Çukon dhe Arben Ndokën

schedule12:40 - 7 Maj, 2019

schedule 12:40 - 7 Maj, 2019

Apeli nuk i liroi nga arresti shtëpiak dy ish-deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko. Ata u arrestuan në Tetor të vitit të shkuar në kuadër të operacionit “Vol-vo 4”.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Kjo masë e dhënë disa muaj më parë nga Gjykata e Shkallës së parë për Krime të Rënda ishte ankimuar nga dy ish-deputetët. Por edhe Apeli nuk ndryshoi asgjë. Ish-deputeti Arben Ndoka iu tha mediave teksa dilte nga gjykata se ky vendim është i padrejtë.

“Unë kundërshtoj çdo lloj akuze kundër meje, pasi nuk kanë lidhje fare. Akuza që ishte ngritur nga ana e prokurorisë nuk kanë lidhje me mua fare. Këtu ka një ndikim prokuroria”, tha ai.

Ish-deputeti nuk ngurroi të shprehte publikisht dëshirën e tij për t’u angazhuar në fushatë zgjedhore, gjë që ia privon arresti shtëpiak.

“Për aq kohë sa jam në arrest shtëpie nuk mund të angazhohem në zgjedhje. Po të mos isha në arrest edhe mund të angazhohesha”, tha ai.

Në këtë seancë në Gjykatën e Apelit ishte i pranishëm vetëm Arben Ndoka, ndërsa Arben Çuko është përfaqësuar nga avokati Maks Haxhia.Të dy ish-deputetët socialistë, u arrestuan në Tetor të vitit të shkuar në kuadër të operacionit “Volvo-4”.

Emrat e tyre dolën pas përgjimeve të grupit Avdylaj nga Shijaku. Ndoka akuzohet për falsifikim dokumentash dhe tjetërsim pronash, ndërsa Çuko për korrupsion gjatë kohës që mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!