Petkov për veton ndaj Maqedonisë së Veriut: Kuvendi bullgar ka marrë vendim historik

schedule15:37 - 24 Qershor, 2022

schedule 15:37 - 24 Qershor, 2022

Kryeministri bullgar Kirill Petkov, ka folur në lidhje me vendimin e Kuvendit të Bullgarisë, i cili i ka dhënë dritë jeshile propozimit francez për kontestin me Maqedoninë e Veriut.

Petkov në një postim në Facebook ka shkruar se Kuvendi sot mori një vendim historik. “Parlamenti bullgar sot miratoi një vendim historik që i jep dritë jeshile propozimit francez për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Integrimi i Ballkanit Perëndimor është me interes strategjik për Bashkimin Evropian”, ka shkruar Petkov pas votimit në Asamblenë Kombëtare Bullgare që miratoi propozimin francez për Maqedoninë e Veriut.

Sipas këtij vendimi, Kuvendi i jep të drejtë Qeverisë në dorëheqje të Petkovit të miratojë kornizën negociuese dhe përfundimet e propozuara nga kryesimi francez me BE-në për zgjidhjen e kontestit në mes Shkupit dhe Sofjes, nëse plotësohen kushtet.

“Zbatimi efektiv i Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, garantimi i të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut përmes futjes së tyre në Kushtetutë, asgjë në procesin e anëtarësimit të RMV nuk duhet të interpretohet si njohje e gjuhës maqedonase nga Bullgaria dhe garancë nga BE se e gjithë kjo do të përmbushet”, janë kushtet e vendosura nga Sofja.