A do t’i hiqet mandati Olta Xhaçkës? Mblidhet Këshilli për Imunitetin, Alibeaj: Ministrja duhej këtu. Balla: Duhet një seancë tjetër

schedule10:51 - 24 Qershor, 2022

schedule 10:51 - 24 Qershor, 2022

Këshilli për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetit u mblodh sot për mocionin e shprehur nga opozita për mandatin e deputetes Olta Xhaçka të cilën e akuzojnë se bashkëshorti i saj ka përfituar në kundërshti me ligjin tokë në bregdet për Investime Strategjike.

Në këtë mbledhje po shqyrtohet mocioni i 1/10 i deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit te mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Aliebaj ai që theksoi se kërkesa është nënshkruar nga 14 deputetë.

“Kërkesa është e nënshkruar nga 14 deputetë. Përveç depozitimit të mocionit, janë të bashkëlidhur dhe faktet dhe provat përkatëse, vendimet e Komisionit të Investimeve strategjike, dhënien e statusit të investitorit strategjik të shoqërisë që ka lidhje me znj. Xhaçka. Ekstratet nga institucionet që përcaktojnë kush është administratori i shoqërive përkatëse. Kërkesa i ka të gjithë elementët. Janë përcaktuar qartësisht dispozitat ligjore, shkelja e tyre, analiza e fakteve dhe pjesa e provave. Sa i përket shtjellimit të përmbajtjes, do ta bëjë z. Korreshi.”, tha Alibeaj.

Ndërkohë mazhoranca ka kërkuar një tjetër seancë mbledhje për tu njohur me dokumentacionet.

Bushka bëri me dije se ajo vetë por edhe kolegë të tjerë si Ermonela Felaj kanë qenë jashtë Shqipërie, të angazhuar në konferenca ndërkombëtare kur është bërë kërkesa, ndaj kërkojnë shtyrjen në një tjetër datë të mbledhjes.

“Do të ishte në seriozitet të punës së këtij këshilli që të gjithë kolegët të lexojnë materialet para fillimit të prezantimit të kërkesës. Kërkesa ka ardhur në datën 20 kohë kur ne nuk kemi qenë në Tiranë, ndaj do kërkoja që ta shtyjmë në mbledhjen tjetër prezantimin dhe diskutim për këtë çështje, që edhe kolegët ta lexojnë siç duhet”, tha ajo.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së. Enkelejd Alibeaj, u shpreh se ministrja Olta Xhaçka duhet të ishte e pranishme. Ai shtoi më tej se kërkesa për ta shtyrë seancën për shkak të njohjes me dokumentacionin është një vendim jo korrekt, pasi sipas tij faktet janë të thjeshta dhe të publikuara.

“Të gjejmë një zgjidhje të mesme. Jemi mbledhur sot dhe të ecim me prezantimin e kërkesës dhe më pas nëse ju i qëndroni faktit për dokumentacionin të vendoset me seancë tjetër.” tha Alibeaj.

Këshilli për Rregulloren dhe Imunitetin u mbledh këtë të premte për të diskutuar kërkesën e grupit parlamentar të PD për heqjen e imunitetit të Olta Xhaçkës.

Shkak për këtë kërkesë është bërë përfshirjes së bashkëshortit të saj, ish-deputetit të PS, Artan Gaçi në një projekt në bregdet si investitor strategjik.

PD akuzon se ministrja Xhaçka është në konflikt interesi sa i takon një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Opozita pretendon se bashkëshorti i saj qëndron pas një kompanie që do të ndërtojë resort turistik në bregdetin e Himarës në cilësinë e investitorit strategjik.

Përfshirjen në politikë, Olta Xhaçka e nisi në vitin 2009 si deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Korçës.

Në mars të 2017-ës, asaj iu besua drejtimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, post të cilin e mbajti vetëm 5 muaj.

Po në të njëjtin vit mori drejtimin e një tjetër ministrie, atë të Mbrojtjes duke zëvendësuar Mimi Kodhelin. Detyrën në krye të Mbrojtjes, Xhaçka e mbajti deri në janar të këtij viti.

Në fillim të vitit 2021, Xhaçkës iu besua një tjetër post ministror, ai i Ministrisë së Jashtme, ku zëvendësoi Gent Cakajn.

/abcnews.al/