Pas 10 Majit, gjoba për qytetarët që nuk regjistrohen në lagje

schedule14:20 - 6 Maj, 2019

schedule 14:20 - 6 Maj, 2019

10 Maji është afati i fundit kur mund të regjistrohesh në lagjen ku banon pa u gjobitur. Bashkia e Tiranës i bën thirrje qytetarëve të përfitojnë nga koha e mbetur dhe të zhvendosin adresën.

Kryebashkiaku i Tiranës është banori më i ri i Lagjes nr. 13. Erion Veliaj dha shembullin e tij për çdo banor të kryeqytetit, i cili nuk është regjistruar ende në njësinë ku banon. Ndërkohë bëri thirrje të përfitojnë për të transferuar adresën pa u gjobitur deri me 10 Maj.

 “Për të marrë shërbimet e bashkisë sime, jam regjistruar aty ku banoj. Procesi zgjati vetëm dy minuta, mjafton karta e identitetit, mbushja e formularit dhe prova që jam banor në këtë lagje. Si provë mund të jetë kontrata e qirasë ose hipoteka e shtëpisë. Duke qenë banor i kësaj lagjeje, bashkia ime, pavarësisht se kush është kryetar bashkie, do të buxhetojë invesime për këta banorë që janë regjistruar këtu. Ndaj, 10 mijë herë faleminderit, për 10 mijë banorët që e kanë kryer këtë procedurë të thjeshtë”. 

Ky ndryshim i vendbanimit do t’u vijë në ndihme vetë banorëve të cilët sipas kryebashkiakut mund të marrin shërbim më afër vendbanimit.

 “Unë si prind i ri mund të regjistroj fëmijën në një kopsht, çerdhe, apo deri tek nevojat e shërbimeve funerale në fund të jetës, nëse jam i regjistruar në Tiranë. Do të thotë, nëse dikush ka nevojë për ndihmë ekonomike, banesë sociale apo për çfarëdo lloj shërbimi tjetër, qoftë edhe për investimet që bëjmë në lagje, nga pastrimi, tek gjelbërimi, asfalti që hedhim, na duhet numri i saktë i banorëve. Shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës, sidomos në lagjet e reja, 12, 13, 14  apo edhe banorë që mund të kenë vite në Tiranë, por prej ndonjë legjende urbane e mbajnë gjendjen civile në një qytet tjetër, të regjistrohen në njësinë ku banojnë. Kush jeton në Tiranë duhet të jetë i regjistruar në Tiranë, që të marrë shërbimet në Tiranë. Nxitoni, nxitoni, nxitoni! Kemi kohë deri në datën 10 maj, që ta bëjmë këtë pa gjobë. Pas kësaj date rikthehet ligji dhe nuk përfitojmë nga amnistia”.

Veliaj i referohet dhe zgjedhjeve vendore ndërsa thotë se qytetaret do të kenë më afër qendrat e votimit./ABC News Albania 24/7