Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbylli paraditen e së hënës, shqyrtimin e çështjes së prokurores në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, në mungesë të saj. Prokurorja u largua nga seanca, pasi trupa gjykuese ia rrëzoi sërish kërkesën për të patur asistente motrën e saj Ema Gashi. Trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tha se për shkak të afateve të procedurave, Ema Gashi rezulton të jetë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Durrës.
Trupa gjykuese e vazhdoi seancën në mungesë të prokurores Gashi, dhe lexoi gjetjen e bërë nga monitoruesja e huaj, Mia Roessingh e dorëzuar më 15 Mars. Kjo gjetje sipas Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk është në favor të prokurores Gashi.
Kjo e fundit ka pretenduar në ankimimin kundër Komisionit të Pavarur të Kualifikimit se ka paraqitur raport mjekësor për pamundësinë e saj që të ishte prezent në seancën publike. Por e konfirmuar edhe nga KPK, ajo kërkesë nuk është paraqitur asnjëherë.
Rovena Gashi u shkarkua në Korrik të 2018, pasi ishte nën hetim për fshehje pasurie, sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, subjekti ka dhënë përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore nga dokumentet dhe kontratat e nënshkruara prej saj.
Ndërsa ILDKPKI në raportin e saj ka konstatuar se deklarimet nuk janë te sakta, ka mungesë burimesh për blerjen e apartamentit të blerë te Shkëmbi i Kavajës, dhe një në Tiranë. Vendimi për prokuroren Gashi do të jepet më 29 Maj./ABC News Albania 24/7