NATO e shqetësuar nga situata Greqi-Turqi: E parandaluam konfliktin në vitin 2020, mund ta bëjmë sërish

schedule17:41 - 22 Qershor, 2022

schedule 17:41 - 22 Qershor, 2022

“Turqia, ashtu si Greqia, është një aleat i vlefshëm, dhe luan një rol të rëndësishëm në Aleancë. NATO ka ngritur një mekanizëm për parandalimin e konflikteve, të cilin e kemi përdorur në vitin 2020, për të vendosur më shumë transparencë dhe për të parandaluar krijimin e një spirale të pakontrollueshme tensioni. Jemi gati ta bëjmë sërish.”

Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë të botuar sot në gazetën franceze “Le Point”.

“Situata është e vështirë dhe prandaj është e nevojshme që NATO të jetë një platformë ku mund të takohen Greqia dhe Turqia,” shtoi ai, duke pranuar ekzistencën e tensionit në marrëdhëniet greko-turke dhe duke shprehur njëkohësisht edhe shqetësimin e tij.

Kurse, i pyetur nëse kundërshtimet e Ankarasë ndaj terrorizmit në lidhje me kërkesat e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO janë të justifikuara, ai u përgjigj: “Unë them se kur shprehen shqetësime të tilla, ne duhet të konsultohemi dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku për të siguruar që ne luftojmë terrorizmin së bashku”.

Pyetjes “a e dini se Turqia sot i karakterizon si “terroristë” thjesht kundërshtarë politikë”, Stoltenberg i përgjigjet: “E di që aleatët janë të shqetësuar për situatën e opozitës në Turqi. NATO është një platformë ku aleatët gjithashtu mund të diskutojnë këto çështje”.

Së fundi, në lidhje me çështjen ukrainase, ai shpjegoi se si Aleanca kërkon të “sigurojë fitoren për Ukrainën pa shkuar në luftë me Rusinë”, por theksoi se “retorika bërthamore e Putinit është e rrezikshme”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!