Kryeministri Rama ka reaguar lidhur me samitin që do të mbahet në Bruksel më 23 qershor. Përmes një postimi në Twitter, Rama shkruan se ka biseduar me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Rama: Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, më fal!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!
We discussed today at length with Serbia’s and North Macedonia’s leaders about the upcoming EU Summit. It seems that another “No,sorry!” is gonna be what we will hear at the end! The whole Union kidnapped by Bulgaria it is not a good spectacle to watch! What to do there?!
— Edi Rama (@ediramaal) June 21, 2022
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit të Liderëve të BE-së, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor.
Më herët edhe Vuçiç tha se pjesëmarrjen në samitin e ardhshëm të BE-së e ka diskutuar në mëngjes me video-lidhje me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.
“Kemi shkëmbyer gjithashtu mendime për hapat e ardhshëm të nismës sonë Ballkani i Hapur – panairi i verës, i cili do të mbledhë verëtarët më të mirë nga rajoni, si dhe për takimin e ardhshëm, ku do të diskutojmë çështje të shumta me interes për qytetarët tanë”, tha Vuçiç.
“Së bashku po luftojmë për një perspektivë të qartë të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunim edhe më të fortë dhe lidhje më të mira”, shtoi presidenti serb.
Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë./Abcnews.al/