Trupi i gazetarit britanik Dom Phillips është gjetur në Amazonë, konfirmon policia braziliane. Ata thonë se identifikimi është bazuar në të dhënat dentare.
Një trup tjetër i gjetur po ashtu besohet të jetë ai i ekspertit indigjen Bruno Pereira, ndërsa është ende duke u ekzaminuar.
Phillips, 57 vjeç dhe Pereira, 41 vjeç, u raportuan për herë të parë të zhdukur më 5 qershor. Në fillim të kësaj jave, një i dyshuar i identifikuar si Amarildo da Costa de Oliveira pranoi se kishte varrosur trupat. Policia tha se ai kishte shpjeguar në detaje se si u vranë të dy burrat përpara se t’i çonte oficerët në vendin ku ishin varrosur.
Vëllai i të dyshuarit, Oseney da Costa de Oliveira, gjithashtu është arrestuar në lidhje me vrasjet, por mohon çdo përfshirje, shkruan BBC.
Pas rrëfimit të të dyshuarit, familja e Dom Phillips tha se ishin me zemër të thyer. “Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në kërkim, veçanërisht grupeve indigjene që punuan pa u lodhur për të gjetur prova të sulmit”, thanë ata në një deklaratë të mërkurën.
“Falënderojmë shumë njerëz që janë bashkuar me ne për t’i kërkuar autoriteteve të intensifikojnë kërkimin”, shtuan ata.
Gruaja e Phillips, Alessandra Sampaio, tha në një deklaratë të veçantë: “Tani mund ta sjellim në shtëpi dhe t’i themi lamtumirë me dashuri”.
Pereira e kishte prezantuar gazetarin, i cili po shkruante një libër në Amazon me kontaktet dhe duke vepruar si udhërrëfyes i tij, por varka e tyre nuk arriti të mbërrinte në një pikë të pritur pranë kufirit me Perunë.
Dyshja u zhdukën në luginën Javari, në perëndimin e largët të Brazilit, një rajon i largët ku banojnë indigjenë nga më shumë se 20 grupe. Është një strehë për këto grupe indigjene, të cilët jetojnë të izoluar nga bota e jashtme.
Ekspertët thonë se zona është kthyer në një vatër krimi për shkak të largësisë së saj dhe mungesës së mbikëqyrjes së qeverisë. Dhuna është rritur gjithashtu ndërsa bandat e trafikut të drogës luftojnë për kontrollin e rrugëve ujore të zonës për të trafikuar kokainën. g.v/abcnews.al