“Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor,” nis punimet Forumi i Prespës për Dialog

schedule09:50 - 16 Qershor, 2022

schedule 09:50 - 16 Qershor, 2022

Udhëheqës të vendeve të Ballkanit Perëndimor mblidhen sot e nesër në Forumin e Prespës për Dialog, që zhvillon punimet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Tema e forumit është: “Ndërtimi i së ardhmes së Ballkanit Perëndimor në arkitekturën moderne evropiane të sigurisë”.

Mikpritës i ngjarjes është presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Nga Kosova merr pjesë presidentja Vjosa Osmani, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe presidentët apo kryeministrat e Sllovenisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Nga personalitetet ndërkombëtare marrin pjesë: kryetari i Këshillit të Evropës, Charles Michel, komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, nënsekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo, si dhe sekretarja e përgjithshme e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Helga Schmid.

Personalitete nga komuniteti akademik, biznesi, media dhe sektori qytetar do të marrin pjesë po ashtu.

Këtë vit, Forumi i Prespës për Dialog përkon me katërvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila i ka dhënë fund një kontesti për emrin midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Marrëveshja e Prespës, e cila është nënshkruar më 17 qershor të vitit 2018, i ka hapur më pas rrugë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Sipas autoriteteve në Shkup, Forumi i Prespës për Dialog paraqet një platformë për t’i mbrojtur, promovuar dhe kanalizuar përfitimet e marrëveshjeve politike.

Por, në opinionin publik ka mendime të ndara nëse Marrëveshja e Prespës, krahas largimit të bllokadës për anëtarësim në NATO, i ka hapur edhe perspektivat e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, vazhdimisht kritikon pushtetin për ndryshimin e emrit të shtetit – nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut – pa marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar për integrimin evropian.

Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeminstër për Çështje të Integrimeve të Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se Marrëveshja e Prespës i ka zhgënjyer qytetarët.

“Tani, disa vite më vonë, ne shohim se të gjitha ato pritje ishin joreale, gjë që në formë plotësuese e përforcon ndjenjën e frustrimit te qytetarët e Maqedonisë së Veriut, dëshpërimin nga procesi i përgjithshëm i integrimeve”.

“Nëse edhe më tej mbetet e paqartë perspektiva evropiane, vlerësoj se do të përforcohen të gjitha tezat se Marrëveshja e Prespës duhet të pësojë adaptime të caktuara”, thotë Naumovski.

Por, sipas ish-diplomatit, Muhamed Halili, nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës paraqet një hap shumë të rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Halili thotë se zhvillimet në Ukrainë, pas pushtimit rus, vënë edhe më shumë në shprehje rëndësinë e Marrëveshjes së Prespës, e cila ka mundësuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Imagjinoni ju që në këtë fazë të krizës ukrainase, Maqedonia e Veriut të mos ishte shtet anëtar i Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s! Dhe, me një strukturë të tillë të dobët financiare, ekonomike, ushtarake, a do të mund t’u bënte ballë synimeve ruse për zgjerim, jo vetëm në atë pjesë të Rusisë së dikurshme, por edhe në Ballkan…”, thotë Halili.

Maqedonia e Veriut, që nga viti 2005, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Edhe pse ka hapur dyert për fillimin e negociatave të anëtarësimit në vitin 2018, Bashkimi Evropian nuk i ka nisur ende ato, as me Maqedoninë e Veriut, as me Shqipërinë. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, Bullgaria ka vënë bllokadë, për shkak të disa kontesteve midis dy vendeve, që lidhen me gjuhën dhe identitetin.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut. Forumi i Prespës për Dialog është lansuar vitin e kaluar si platformë për ndërtimin e mirëbesimit dhe dialogut politik midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. /REL/