Në Kiev është mbajtur konferenca e përbashkët për shtyp mes kryeministrit Edi Rama, atij malazez Dritan Abazovic dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në një postim në mediat e tij sociale, lideri ukrainas shprehet se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbështetin dhënien e statusit të Ukrainës kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Sipas Zelenskyy-t, në rrugën evropiane Ukraina dhe tre vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë konkurrente, por vetëm plotësojnë dhe forcojnë aftësitë e njëri-tjetrit.
Me aq sa shprehet presidenti ukrainas, me Ramën dhe Abazoviç zhvilloi biseda produktive.
“Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbështesin dhënien e statusit të vendit tonë kandidat për anëtarësim në BE. Në këtë rrugë evropiane, vendet tona nuk janë konkurrente, por vetëm plotësojnë dhe forcojnë aftësitë e njëri-tjetrit. Edi Rama dhe Dritan Abazovic, faleminderit për vizitën dhe bisedat produktive!” Shkruan lideri ukrainas në një postim në Facebook.
Kujtojmë se gjatë qëndrimit në Ukrainë dy delegacionet kanë vizituar ekspozitën për luftën ruso-ukrainase, ku kanë parë të dokumentuara tmerret me të cilat është përballuar populli ukrainas.
Rama është i shoqëruar nga Elisa Spiropali, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri dhe Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm. /abcnews.al/