Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit dënoi përfundimisht me 25 vite burg Blendi Tetën, të akuzuar si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Ngjarja ndodhi në gusht të vitit 2019. Malko u ekzekutua brenda automjetit të tij në rrugën “Xhanfize Keko” në kryeqytet.
Plani për vrasjen
E gjithë skena për të ekzekutuar Malkon sipas hetimeve është thurur në bodrumin e një lokali në zonën e Freskut. Sipas dosjes hetimore, Blendi Teta dhe shtatë persona që kanë darkuar sëbashku në ambientet sekret në lokal dhe një moment, njëri nga personat u ka thënë: “Cohuni cuna se kemi punë”.
Të gjithë kanë dalë dhe janë futur në dy automjete; e para tip Wolksvagen GOLF 5, ngjyrë gri dhe e dyta, Tip Skoda Roomster, që u gjet e fshehur në një parkim pranë drejtorisë së ish-pyjores në rrugën ‘Dalip Topi’.
Në vendin e parë të mjetit tip Skoda, është ulur Blendi Teta. Automjeti ka lëvizur nga Fresku të IKV, te Komisariati i Qarkullimit, ka dalë në rrugën “Myslym Keta” dhe më pas ka marrë drejtimin te Komisariati nr.4. Aty ka mbërritur edhe automjeti tip Ëolksvagen Golf. Në pak minuta, automjetet kanë ecur në drejtim të kryqëzimit të Alliasit, më pas kanë vazhduar lëvizjen në në rrugën ngjitur me murin e shkollës së Bashkuar në drejtim të Oxhakut. Aty janë kthyer djathtas në rrugën Kongresi i Manastirit në drejtim të SHISH.
Lëvizjet e automjeteve janë fokusuar në pjesën më të madhe nga kamerat e sigurisë së bizneseve të ndryshme. Sipas hetimeve, kur “Skoda” ndodhej tek spitali nr.5, njëri nga personat në makinë, i ka kërkuar shoferit të ndryshojë drejtimin e lëvizjes, duke i thënë: “kthehu ka parkuar të kazanët”.
Në rrugën Xhanfize Keko, ata kanë konstatuar një automjetin tip BMW X5. Referuar dëshmisë dhënë para oficerëve, Blendi Teta në këtë moment është larguar, sepse sipas tij ka kuptuar se dicka e keqe do ndodhte. Ai pretendon se shkuar në këmbë të spitali i fëmijëve dhe pasi ka blerë një ujë, ka marrë taksi dhe është larguar për në ‘Don Bosko’ tek bashkëjetuesja e tij. 15 minuta më vonë, ai ka parë në lajme se ishte bërë një atentat ndaj një makine BMW X5 dhe një person kishte mbetur i vdekur. Në këtë momente ka shfaqur frikë, pasi ka patur dyshime se krimin e kanë kryer personat që ishte shoqëruar atë mbrëmje.
Pas kësaj ai ka mbajtur kontakte vetëm më bashkëjetuesen e tij, në shtëpinë e së cilës e ka pritur edhe policia. Blendi Teta ka mohuar të ishte në dijeni të planit për vrasjen e Santjago Malkos, por pranon se me personat që darkoi pikërisht atë natë ka lidhje shoqërore. Të gjithë personat që janë ndodhur në atë darkë, mes tyre edhe emra të njohur të botës së krimit janë shpallur në kërkim, por deri më tani operacionet policore për kapjen e tyre nuk kanë dhënë rezultat.
Motivet e vrasjes
Nga përfundimi i hetimeve ka dalë se shkaku i vrasjes së ish-policit ishte rivaliteti në biznesin e paligjshëm të llotove sportive. Sipas SPAK, autorët e vrasjes janë anëtarët e grupit kriminal të vëllezërve Duka, së bashku me vëllezërit Duka. /abcnews.al