Vijon të jetë kaotike situata në Venezuelë, ku si pasojë e përplasjeve të dhunshme të së martës mbeti i vrarë një 24-vjeçar dhe u plagosën 59 persona. Ndërkohë lideri i opozitës Guaido ka bërë sërish apel për protesta duke thënë se Maduro ishte gati të arratisej nga Venezuela gjatë trazirave të së martës.
Të paktën një viktimë, një 24-vjeçar dhe 59 të plagosur është bilanci i përplasjeve të dhunshme të së martës në Venezuelë. Viktima u plagos në trazirat në qytetin e La Victoria, por kur mbërriti në spital nuk kishte më shenja jete.
Ndërkohë lideri i opozitës dhe i vetëshpallur president i Venezuelës, Huan Guaido, i bëri apel venezuelianëve që të protestojnë sërish në atë që e ka cilësuar si fazë përfundimtare të operacionit për liri. Me anë të një video 3 minuta të gjatë të publikuar në Youtube, Guaido deklaroi se e dinte që fillimi nuk do të ishte i lehtë, por tashmë është e qartë se ushtria është e gatshme të mbrojë Kushtetutën.
Guaido shtoi më tej se kishte informacione të sigurta për një arratisje të mundshme të Maduros. Ai theksoi se pushtuesi, kishte bërë çdo gjë gati për t’u arratisur nga vendi, por kishin qenë forcat e huaja që e detyruan të qëndronte. Ndërsa sot ai ka qëndruar vetëm i fshehur.
“Filluam një ditë më parë dhe sot do të rikthehemi sërish në formë këmbëngulëse në rrugë deri sa ti japim fund pushtimit”, përfundoi Guaido.
Por presidenti Maduro mbrëmjen e së martës në mesazhin e tij drejtuar popullit përgëzoi forcat e armatosura për qëndrimin e mbajtur: besnik, me vlerë, të pjekur dhe këmbëngulës. Në një mënyrë të tillë për të shtypur një grup të vogël njerëzish që synonte të rikthente dhunën në vend.
Me anë të një video ku qëndron pranë ministrave, liderit të Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë, dhe të shpërndarë në profilin e tij në Tëitter, Maduro përshkruan në mënyrën e tij ngjarjet e së martës.
Një ditë sipas tij e pasur me ngjarje, emocione dhe reflektime për të ardhmen e vendit. Gjithashtu sipas tij u bë e qartë se në vend ka dy palë, njëra që do paqen dhe dialogun e tjetra dhunën pas është shitur ndaj ambicieve të vendeve të huaja.
Ai ka falenderuar popullin, i cili sipas tij kishte dëshmuar se mbronte paqen./ABC News Albania 24/7