Prej javësh tashmë, Severodonetsk ka qenë në fokus të bombardimeve ushtarake ruse në Ukrainë. Sipas raporteve, rreth 70% e qytetit është aktualisht nën kontrollin rus, ndërsa forca ruse kanë zmbrapsur ato ukrainase nga qendra e qytetit, shkruan BBC.
Severodonetsk dhe qyteti i tij binjak, Lysychansk, formojnë një pikë qendrore të rëndësishme rajonale dhe industriale në rajonin Luhansk të Ukrainës lindore. Marrja në kontroll e qyteteve binjake do t’i jepte Rusisë kontrollin e të gjithë rajonit të Luhanskut, pjesë të të cilit tashmë kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Qytetet binjake ndodhen pranë lumit strategjik Siversky Donets, ndërsa pika kryesore 90 km e gjatë (56 milje) e vijës së frontit të Rusisë shtrihet në perëndim të lumit. Të dielën, rusët shkatërruan të dytën nga tre urat në qytet. Qëllimi i tyre tani është të shkatërrojnë urën e fundit të mbetur dhe të shkëputin Severodonetsk nga pjesa tjetër e Ukrainës.
Vetëm rreth 15,000 njerëz, nga një popullsi prej 100,000 paraluftës, besohet se janë ende të bllokuar në qytet. Për shkak të bombardimeve dhe luftimeve intensive në rrugë, evakuimi është pothujase i pamundur për momentin.
Luhansk dhe rajoni fqinj i Donetskut – që shtrihen nga Mariupol në jug deri në kufirin verior me Rusinë përbëjnë Donbasin. Donbas është aktualisht prioriteti kryesor i Presidentit Putin.
Suksesi ushtarak rus në Donbas mund të çojë në aneksimin nga Moska të të gjithë rajonit, sipas zyrtarëve amerikanë.
/abcnews.al