Nënkryetari i deputetëve të CDU/CSU: Vendimi për negociatat, në Shtator

schedule12:12 - 1 Maj, 2019

schedule 12:12 - 1 Maj, 2019

Grupi parlamentar i CDU/CSU në parlamentin gjerman bën të ditur se vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të merret në Shtator. Johann Wadephul, nënkryetar i këtij grupi, në një intervistë për Deutsche Welle, flet edhe për situatën politike në Shqipëri.

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag Johann Wadephul inkurajon opozitën në Shqipëri të marrë pjesë në proceset politike. Në një intervistë për Deustche Welle ai shprehet se pa kompromis nuk ka demokraci.

“Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha,  janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci”, tha ai.

I pyetur në lidhje me mundësitë e zgjidhjes së krizës politike në Shqipëri, pas djegies së mandateve nga opozita deputeti gjerman i partisë së Merkelit shprehet:

Zgjidhje ka gjithmonë. Zhvillimi aktual është i keq. Është problematike që PD-ja nuk mund të marrë pjesë në parlament me deputetët që janë zgjedhur në të vërtetë. Dikur ajo duhet të guxojë një fillim të ri. Unë besoj se është e rëndësishme që Shqipëria të gjejë veten. Prandaj u them partive pro-europiane që të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë.

Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU deklaron se vendimi në lidhje me negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të merret në Shtator. Sipas Wadephul, rekomandimi i Komisionit Europian do të jepet pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian që mbahen në fund të Majit. Por koha që ka dispozicion Bundestagu për konsultime deri në 21 Qershor, kur mblidhet Këshilli është e pamjaftueshme për t’u shprehur. Ndaj nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU përmend Shtatorin si çastin e vendimit për negociatat.

Numri dy i grupit parlamentar të partisë së kancelares Merkel, shprehet në interviste se Bundestagu dëshiron hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe do të mbështesë këtë vendim. Sipas tij në Shqipëri po bëhen shumë përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës./ABC News Albania 24/7