Kancelari gjerman: Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE

schedule11:27 - 11 Qershor, 2022

schedule 11:27 - 11 Qershor, 2022

Pas vizitës në Kosovë dhe Serbi, kancelari gjerman Olaf Scholz ka vizituar sot Maqedoninë e Veriut.

Në konferencë shtypi të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë Veriut, Dimitar Kovaçevski, kancelari gjerman ka ritheksuar qëndrimin e Berlinit në lidhje me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Kancelari gjerman theksoi se është i kënaqur me forcën politike që, siç tha ai, bëri të mundur arritjen e marrëveshjes me Greqinë. Prandaj, siç tha ai, edhe pjesa tjetër e detyrës duhet të ketë sukses dhe kjo është diçka për të cilën kanë punuar shumë qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Qeveria. Tani, theksoi Sholc, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje.

Maqedonia e Veriut, sipas tij, i ka përmbushur të gjitha parakushtet dhe theksoi se do të përpiqet personalisht për hapin e ardhshëm.

“Negociatat e anëtarësimit duhet të fillojnë dhe unë do të bëj përpjekje për këtë. Unë inkurajoj Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë angazhimin e saj në rrugën e reformave. Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE”, tha Sholcz.

Marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve, siç vlerësoi ai, nuk janë vetëm politike, por edhe ekonomike, të larmishme dhe të ngushta. Kjo, siç tha ai, është një arsye plus pse Gjermania e mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo është vizita e dytë e kancelarit gjerman, e cila, sipas tij, dëshmon për marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira ndërmjet dy vendeve.

“Mbështetja që marrim nga Republika Federale e Gjermanisë është e fortë, e vazhdueshme dhe e qartë. Kjo mbështetje për ne është një inkurajim i madh për aspiratat tona për të ndërtuar një shoqëri të begatë të bazuar në vlerat evropiane si një partner i barabartë i Republikës Federale të Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së.

Sipas Kovaçevskit, vizita e Sholcz në prag të Samitit të BE-së është një shenjë e fortë e mbështetjes për kriteret e përmbushura të Maqedonisë së Veriut. “Qëllimet e përbashkëta janë që vendi ynë të jetë anëtar i BE-së”, tha Kovaçevski.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!