Pak ditë pas përmbylljes së procesit të zgjedhjeve në të gjitha strukturat drejtuese, Partia Demokratike ka thirrur nesër një mbledhje me të gjithë kryetarët në rrethe.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se në këtë mbledhje do të diskutohet për protestat e ardhshme dhe rolin që do të kenë krerët lokalë në organizimin e aksionit opozitar.
“Mbledhja me kryetarët është shumë e rëndësishme, e para e kësaj natyre, në të cilën ata do të marrin detyrat për drejtimet e punës së PD-së në periudhën që vjen. Nuk mund të ketë dyshim që protesta do të jetë temë diskutimi shumë e rëndësishme. PD duhet të bëjë gjithçka për të shpëtuar Shqipërinë nga sistemi monist dhe vetëm shqiptarët mund ta bëjnë atë”, u shpreh kreu i PD-së.
Ndalur te qëndrimi i tij kundër zgjedhjes së Bajram Begajt si President, ish-kryeministri e ka argumentuar duke thënë se ky është rasti i vetëm kur një ushtarak aktiv bëhet president.
“Të marrësh një ushtarak aktiv dhe ta vësh president nuk ka ndodhur ndonjëherë përveçse në rastin e juntave. Presidenti është i detyruar të përmbushë detyrimet që ka”.
Berisha ka komentuar dhe takimin e Begajt me tre ish-presidentët Topi, Moisiu dhe Mejdani ditën e djeshme, duke argumentuar dhe mungesën e tij në këtë tryezë. Ai tha se Presidenti i ri nuk do t’ia pranonte këshillat nëse edhe ai si ish-Kryetar Shteti do të kishte shkuar në atë takim.
“Qëndrimi im publik, ishte publik ndaj zgjedhjes së tij dhe e konsideroj normale, shumë normale që ai nuk kërkon këshilla nga unë se nuk do të merrte atë këshillë që i pëlqente. Sepse ai u bë, zgjedhja e tij u shndërrua në vendosjen e monizmit në Shqipëri. Ai mori postin e Presidentit por për shqiptarët monizmi është një mynxyrë. Problemi është se ajo shoqëri që ka qenë dhe do të ishte kryesore në përmbysjen e kësaj nuk e ka jetuar monizmin. Por Shqipëria sot është identike me Bjellorusinë e Lukashenkos. Kjo është mynxyre se vetë kushtetutshmëria është një shtyllë kryesore e demokracisë. Parimet e saj check and balance u zhdukën si në kohën e Enver Hoxhës. Angazhimi i të rinjve në këtë betejë është kusht për fitoren e saj”.
Sërish ka sqaruar raportin e tij me presidentin Ilir Meta, ndonëse për këtë të fundit ka pasur kritika sa i takon qëndrimit për firmosjen e dekretit për Bajram Begajn, duke i hapur rrugë zgjedhjes së tij në krye të shtetit.
“Nuk ka krisje. Presidenti, e kam theksuar, do jem transparent, Kushtetuta në germë, nuk ndalon firmosjen e dekreteve jashtë vendit. Se ka një përkufizim të tillë. Por raste unë di që nuk ndodhin. Kjo që kanë pretenduar. Të themi të vërtetën, Presidenti mund të mos e firmoste raundin e katërt, por të pestin s’e digjte dot. Duhet të ushtronte detyrimin kushtetues, pastaj ndërhyjnë mekanizma të tjera. Kur kishte check and balance ndërhynin mekanizma të tjera. Ai nuk mund të mos ushtronte kushtetutshmërinë. Është rast unik në historinë vendeve të tjerë. S’ka ndodhur kurrë që të marrësh një ushtarak aktiv dhe ta emërosh president republikës. përveç në rastin e Juntave. S’ka ndodhur asnjëherë!“, tha Berisha.
Në fund të konferencës për shtyp Berisha e bëri të qartë se nuk do të marrë pjesë në dy komisionet parlamentare për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, duke i konsideruar këto procese farse.
“Të besosh trillimet e Gazmend Bashës është njëlloj si të besosh Lulzim Bashën. Njëlloj. Asnjë iniciativë nuk bllokojmë ne, por mund të them se Alibasha dhe Gazbasha po i shërbejnë me besnikëri të neveritshme Edi Ramës. Të jeni të sigurt, nuk do jetë e largët dita kur do të kuptohen arsyeja si për atë që iku edhe për këta të dy. Por me të qetë dhe avash avash. Ne nuk marrim pjesë në farsa të organizuara nga Rama dhe të keq shfrytëzuarit e tij. Ne nuk marrim pjesë”.
Një përgjigje ka pasur edhe për deklaratat e dhëna në Tiranë nga raportuesi për Shqipërinë në CDU, Peter Beyer. Beyer theksoi se Gjermania do t’i qëndrojë krah SHBA-ve në vendimin për të mos bashkëpunuar me persona të shpallur non-grata dhe kërkoi një forcim të opozitës në vend, por Berisha shprehet se në betejën e tij ka përkrah vetëm shqiptarët.
“Këtë betejë Sali Berisha nuk e ka nisur me asnjë përkrahje të askujt përveç shqiptarëve. Ju garantoj se çdo ditë ndihem më i motivuar se kurrë nga mbështetja e shqiptarëve. Ju besoj jeni dëshmitarë të kësaj”, tha ai.
/abcnews.al