Kontribuuesit në sigurime u rritën prej punësimit në shtet dhe vetëpunësimit, bien të siguruarit në biznese

schedule07:20 - 7 Qershor, 2022

schedule 07:20 - 7 Qershor, 2022

Skema e sigurimeve shoqërore që reflekton të punësuarit me pagë u zgjerua vitin e kaluar me 6.2% sipas të dhënave zyrtare, mirëpo shtesa shihet te ketë ardhur më së shumti nga rritja e të punësuarve në sektorin shtetëror dhe rritjes së vetëpunësuarve, ndërkohë që  kontribuuesit në firmat private kanë pësuar rënie me 7.7% vitin e kaluar.

Në vitin 2021 në skemën e sigurimeve u shtuan edhe 43 mijë persona, duke reflektuar përmirësimin e punësimit pas krizës pandemike të vitit 2020. Nga personat e siguruar rishtas më shumë se 8600 janë në ndërmarrjet buxhetore dhe buxhetore.

Në sektorin privat personat e siguruar reflektojnë anomalinë e tatimit mbi pagën. Më vitin 2021 personat e vetëpunësuar me sigurime arritën në 135 mijë, me mbi 53 mijë më shumë se më 2020 ose rreth 65% më shumë. Ndërkohë që personat e siguruar në kompanitë private ishin 31,085 në vitin 2021, ose rreth 31 mijë më pak se më 2020.

Shqipëria nuk i trajton njëlloj të ardhurat punësimi me ardhurat nga vetëpunësimi dhe kjo është bërë shkak që shumë të punësuar me paga të larta të regjistrohen si të vetëpunësuar për të shmangur tatimet.

Psh një punëtor që fiton 14 milionë lekë të ardhura vjetore (neto) (1,116,666 lekë në muaj) mund të ulë normën efektive të tatimit mbi të ardhurat nga 21.4% në 0, duke u riorganizuar si i vetëpunësuar dhe duke deklaruar një qarkullim nën pragun e TVSH-së (10 milionë lekë) dhe një pagë mujore të barabartë me pagën minimale.

Punonjësit e vetëpunësuar regjistrohen si sipërmarrës pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për qëllime tatimore dhe janë përgjegjës vetëm për tatimin mbi fitimin.

Kontraktorët e vetëpunësuar regjistrohen me Qendra Kombëtare e Regjistrimit si ‘person fizik’. Punëtorët e vetëpunësuar të regjistruar si persona fizikë operojnë kryesisht në shërbime profesionale, si kontabilistë, arkitektë, konsulentë biznesi, programues kompjuterësh, dentistë, inxhinierë, profesionistë mjekësorë, etj.

Sipas ndryshimit të fundit të Ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat, duke filluar nga 1 janari 2021, çdo tatimpagues me një biznes që gjeneron xhiro mbi 14 milionë lekë gjatë vitit fiskal i nënshtrohej një norme tatimore prej 15 për qind. Për tatimpaguesit me xhiro nën 14 lekë milionë, norma tatimore është 0 për qind dhe baza tatimore është fitimi i tatueshëm.

Sistemi i ndryshëm tatimor për të punësuarit dhe të vetë punësuarit ka bërë që shumë punonjës me të paga të larta të regjistrohen si të vetëpunësuar dhe kjo reflektohet edhe të numri i vetëpunësuarve që paguajnë sigurime.

Përgjatë vitit të kaluar pësoi rritje të ndjeshme edhe numri i personave që paguajnë sigurime në sektorin bujqësor. Të dhënat zyrtare të sigurimeve tregojnë se në vitin 2021 paguan sigurime 58 mijë fermer ose 16.8% më shumë se vitin e kaluar.

/Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!