Në kërkim për plagosjen në Fushë Krujë, policia i gjen 44-vjeçarit një “laborator kanabisi”

schedule19:59 - 6 Qershor, 2022

schedule 19:59 - 6 Qershor, 2022

Ndërsa vijojnë kërkimet për autorin e plagosjes në Fushë Krujë, policia duket se ka lokalizuar një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës së autorit të dyshuar, 44-vjeçarit Blerim Selaci, u gjet laboratori i kanabisit si dhe arma me të cilën dyshohet të jetë bërë plagosja, një pistoletë me mulli dhe municion luftarak. Ndërkohë, vijojnë kontrollet dhe krehja e zonës.

Kujtojmë se një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e së hënës në Fushë Krujë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Punëtori”, ku pas një konflikti të çastit, 44-vjeçari Blerim Selaci ka plagosur me armë zjarri 62-vjeçarin Lutfi Kupa.

Kupa ndodhet në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën. Si duket, 62-vjeçari është djali i xhaxhait të Ilir Kupës, i cili njihet për arratinë nga burgu grek, dhe si anëtar i bandës së “Babagjyshëve.” Megjithatë këta dy të fundit prej vitesh nuk komunikojnë me njëri-tjetrin.

Kupa është njëri ndër të dënuarit shqiptarë që u arratis me bujë nga burgu i Trikallas në Greqi në vitin 2013 duke shkaktuar tërmet në sistemin e drejtësisë në shtetin helen. Ai është i lidhur edhe me grabitjen e në qendrën tregtare në prag të vitit të ri, ku një grup personash të veshur si Babagjyshë të Vitit të Ri u futën në një argjendari duke marrë me vete sasi të mëdha floriri.

Pas arrestimit, Kupa u dënua me 23 vite burg për grabitje dhe armëmbajtje pa leje. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!