Kryeministri britanik drejt fundit të mandatit? Boris Johnson përballet me votëbesimin e deputetëve konservatorë

schedule11:37 - 6 Qershor, 2022

schedule 11:37 - 6 Qershor, 2022

Boris Johnson mund të shkarkohet nga posti i kryeministrit në Britaninë e Madhe pasi ligjvënësit “e zemëruar” në Partinë Konservatore kërkuan një votëbesim ndaj tij.

Graham Brady, kryetari i Komitetit të 1922-shit të mbështetësve konservatorë, tha se kishte marrë më shumë se 54 firma të deputetëve.

Ky votim do të zhvillohet mes orës 18:00 dhe 20:00 të ditës së sotme (me orën lokale 13:00 deri në 15:00).

Nëse shumica voton kundër Johnson, ai do të detyrohet të tërhiqet si lider i Partisë Konservatore dhe koha e tij si kryeministër do të përfundojë pasi të zgjidhet një zëvendësues.

Ndërkohë një zëdhënës i “Dowing Strett” ka thënë se Johnson mirëpret votën e besimit për udhëheqjen e tij.

“Sonte është një shans për t’i dhënë fund muajve të spekulimeve dhe për të lejuar qeverinë të vendosë një vijë dhe të ecë përpara, duke përmbushur prioritetet e njerëzve,” tha zëdhënësi.

“Kryeministri mirëpret mundësinë për t’i paraqitur deputetëve çështjen e tij dhe t’i kujtojë atyre se kur ata janë të bashkuar dhe të fokusuar në çështjet që kanë rëndësi për votuesit, nuk ka forcë politike më të frikshme.”

Dhjetra deputetë kanë shprehur publikisht pakënaqësinë e tyre për performancën e fundit të Johnson. Nëse Johnson dështon në paraqitjen e tij të hënën, ai do të duhet të tërhiqet.

Si do të funksionojë votimi i së hënës

Votimi  ndaj Boris Johnson po zhvillohet sepse të paktën 54 deputetë konservatorë i kanë dorëzuar letra Graham Brady, kryetarit të Komitetit të 1922 të mbështetësve, duke thënë se ata kanë humbur besimin te lideri i tyre.

Kjo shifër përfaqëson 15% të deputetëve konservatorë, pragu në të cilin bëhet votimi.

Deputetët konservatorë tani do të votojnë ndërmjet orës 18:00 dhe 20:00  nëse duan që Johnson të vazhdojë në rolin e tij apo jo.

Johnson është përballur me kritika për udhëheqjen e tij për muaj të tërë, veçanërisht për rolin e tij në skandalin “Partygate” që pa një seri zbulimesh rreth tubimeve që thyen bllokimin brenda “Downing Street” ndërsa pjesa tjetër e Britanisë u ndalua të shoqërohej për shkak të pandemisë. 

Më e rëndësishmja, ky është një votim i fshehtë, që do të thotë se deputetët që i kanë qëndruar publikisht besnikë Johnson-it mund të votojnë ende për ta rrëzuar atë./abcnews.al/