Presidenti Ilir Meta ka folur për gazetarët pas kryerjeve të homazheve në Presidencë ku po bëhen nderimet për ish-presidentin Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë. Kreu i shtetit u shpreh se Nishani ishte një nga politikanët e shtetarët më të përgjegjshëm e më seriozë të këtyre dekadave.
Meta vlerësoi se Nishani ka lënë pas tashmë një trashëgimi shumë pozitive dhe një kujtim të paharruar për të gjithë ata që u shërbeu.
“Ndarje e dhimbshme dhe shumë e parakohshme e presidentit Nishani nga jeta…Ai ishte një nga politikanët, shtetarët më të përgjegjshëm e më seriozë të këtyre dekadave, i cili në çdo detyrë politike dhe shtetërore shkëlqeu me korrektësinë e tij, integritetin, konstruktivitetin që e karakterizonte dhe në çdo detyrë, dhe në atë të presidentit, gjithmonë ishte një mbrojtës i shkëlqyer i interesit kombëtar. Ai lë pas një trashëgimi shumë pozitive dhe një kujtim të paharruar për të gjithë ata që u shërbeu me përkushtim e besnikëri…”
Më herët, mesazhin e tij të ngushëllimit e dha edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai shprehu ngushëllimet për bashkëshorten, fëmijët dhe qytetarët shqiptarë që siç tha ai humbën një shtetar dinjitoz. Ish-kryeministri u shpreh se Nishani ishte një nga bashkëpunëtorët e tij me të ngushtë, me të cilin ndante edhe miqësi. Sipas Berishës, ai nuk është sot fizikisht, por do të mbetet gjallë përjetësisht. /abcnews.al/