Homazhe për Nishanin, Berisha: Shqiptarët humbën një shtetar, do të mbetet gjallë përjetë

schedule11:02 - 1 Qershor, 2022

schedule 11:02 - 1 Qershor, 2022

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë homazhe në nder të ish-presidentit Bujar Nishani. Përpara media, Berisha shprehu ngushëllimet për bashkëshorten, fëmijët dhe qytetarët shqiptarë që siç tha ai humbën një shtetar dinjitoz.

Ish-kryeministri u shpreh se Nishani ishte një nga bashkëpunëtorët e tij me të ngushtë, me të cilin ndante edhe miqësi. Sipas Berishës, ai nuk është sot fizikisht, por do të mbetet gjallë përjetësisht.

“Isha për të ndarë me Odetën, Ersin dhe Fionën zinë e kësaj gjëmë të madhe që iu ka rënë atyre. Miqve të tyre, të afërmve, por edhe mbarë qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë parë të Bujar Nishani një qytetar shembullor, familja një prind të shkëlqyer, bashkëshort dhe baba fisnik. Shteti shqiptar një nga shtetarët më dinjitozë në tërë historinë e tij. Shqiptarët një nga shërbëtorët më të përkushtuar.

Bujar Nishani në dekada ka qenë një nga bashkëpunëtorët e mi më të çmuar, me të cilin më lidhi jo vetëm bashkëpunimi, por edhe një miqësi e përsosur që nuk njohu ndonjëherë asnjë lloj të themi rënie. Përkundrazi erdhi gjithnjë në forcim. Kujtimet për Bujar Nishanin janë të shumta dhe ai sot fizikisht nuk është midis nesh. Por e vërteta është që shpirtërisht ai është i gjallë, përjetësisht i gjallë në memorien time dhe të gjithë atyre që patën fatin e madh ta njohin atë si mik dhe bashkëpunëtor.

Iu shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe shqiptarëve që humbën ish kreun e shtetit që i dha në atë detyrë dinjitet Presidencës. I paharruar do të mbetet kujtimi i tij”, tha Berisha.

Lexo edhe: Homazhet për ish-kreun e shtetit, mbërrin në Presidencë trupi i pajetë i Bujar Nishanit

Në nder të ish-presidentit Bujar Nishani do të zhvillohen dy ditë homazhe. Ai do të përcillet për në banesën e fundit ditën e nesërme.

Ish-presidenti u nda nga jeta të shtunën, pasi ishte i shtruar prej një muaji në një spital në Berlin, Gjermani. Ai u shtrua fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte kompliacione të post Covid. Ish-presidenti u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar.

Në karrierën e tij politikë ai njihej për gjuhën e kujdesur dhe maturinë. Bujar Nishani ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.

Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme si deputet, ministër dhe kryetar i Këshillit Kombëtar në selinë blu. Në vitin 2012, Nishani u zgjodh president. Ndërsa së fundmi ai ishte anëtar i Komisionit të Rithemelimit.  g.v/abcnews.al