Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, u shpreh se një fuqi e madhe si Kina, e respektonte vendin e tij dhe nuk ushtron presion, në ndryshim nga disa vende të tjera.
Duke folur në një panel të organizuar nga partia komuniste kineze në Pekin, presidenti i Serbisë ALeksandër Vuçiç theksoi se bashkëpunimi mes njerëzve nuk duhet trajtuar si një çështje anshmërie, por si një bazë për të ndërtuar të gjitha bashkëpunimet e tjera
Në fillim të fjalës së tij, kreu i shtetit serb i tha audiencës se ishte takuar me homologun kinez dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë komuniste kineze, Xi Jinping, dhe kishin biseduar për çështje shumë të rëndësishme.
Vuçiç shtoi se bashkëpunimi I shkëlqyer mes dy vendeve do të vazhdojë. Ai tha se Serbia ishte një vend relativisht i vogël në Ballkanin Perëndimor dhe në zonën ndërkombëtare Kina ka partner shumë më të rëndësishëm. Por ka diçka më special që lidh këto dy vende, sipas tij, partia komuniste në Kinë dhe ajo progresiste serbe, më të mëdhatë në vendet përkatëse.
Sipas tij, politikat e ndjekura nga presidenti kinez janë shumë më të suksesshme se të kujtdo tjetër në botën moderne.
Vuçiç përmendi faktin se Serbia është në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, dhe këtu Kina bën dallim nga vendet e tjera pasi nuk i ushtron presion vendit të tij, por përkundrazi e trajton me respekt.
Duke iu referuar tregtisë, Vuçiç tha se aktualisht vendi i tij po vuan nga disa bllokada, referuar ndoshta taksës prej 100 për qind të vendosur nga qeveria e Kosovës. Por sipas tij është fat që Serbia mund të mbështetet në një vend të madh si Kona, një partnere shumë strategjike për të ardhmen./abcnews.al