Punëtorët e angazhuar në restaurimin e pjesës së sipërme të katedrales Notre Dame kanë pranuar se kanë pirë duhan në vendin e punës. Megjithatë, kompania përgjegjëse ka përjashtuar mundësinë që duhani të jetë bërë shkak i zjarrit në objektin shekullor të kultit.
Përfaqësues të kompanisë së ndërtimit që ishte angazhuar në punimet për pjesën e sipërme të katedrales Notre Dame të Parisit kanë pranuar përpara hetuesve se punonjësit konsumonin duhan në kantierin e punës.
Dhe në fakt, sipas mediave franceze, në vendin e ngjarjes, hetuesit kanë gjetur 7 bishta cigaresh. Por kompania “Le Bras Frere”, pasi është shprehur e hidhëruar për këtë episod ka përjashtuar çdo lidhje mes cigareve dhe zjarrit që përfshiu objektin e kultit të hënën e javës së kaluar.
“Mesa duket ka punëtorë që herë pas here kanë shkelur rregullat, por në asnjë rast shkak i zjarrit nuk mund të jetë bërë një bisht cigareje i fikur keq”, ka deklaruar zëdhënësi i kompanisë.
Sa i takon pistës së një zjarri të shkaktuar nga motorët elektrikë të ashensorëve, zëdhënësi i grupit ka siguruar se motorët nuk kanë paraqitur asnjë problem.
“Ata janë larg majës së katedrales dhe tashmë është konfirmuar se zjarri ra në brendësi të ndërtesës”, ka vijuar zëdhënësi.
Për momentin pista e privilegjuar për ngjarjen e rëndë është ajo e zjarrit aksidental, shkaktuar nga një qark i shkurtër, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe mbetjet e godinës do të analizohen një për një për gjetjen e indicieve./abcnews.al