Tani Presidentin e zgjedh PS, Alibeaj: Rama na doli nga fjala, donim një kandidaturë të të gjithëve

schedule10:54 - 30 Maj, 2022

schedule 10:54 - 30 Maj, 2022

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj theksoi se tashmë, pas dështimit të raundit të tretë, Presidenti që do të zgjidhet me votat e PS, nuk do të jetë Presidenti i shqiptarëve.

Ai tha se Rama u doli nga fjala dhe u humb shansi për një emër konsensual.

Kam qenë këtu para jush dhe kam thënë se ne e dinim se Presidenti do të zgjidhej me 71 vota në raundin e katërt apo të pestë. Këtë e them për shkak të atyre ndryshimeve famëzeza të Kushtetutës që u bënë për zgjedhjen e Presidentit. Kush do të zgjidhet në raundin e katërt apo të pestë, nuk do të jetë President i shqiptarëve por i njërës palë”, tha Alibeaj duke shtuar se kështu u humb një shans që vendi të kishte një President konsensual.

Alibeaj tha se Grupi Parlamentar i PD ishte i vetmi që mori pjesë në këtë proces, pasi sipas atij as vetë PS nuk ishte pjesëmarrëse.

Të vetmit që morën pjesë në procesin e zgjedhjes së një Presidenti konsesual ishim ne. As vetë PS nuk mori pjesë. Dhe Rama e ka bërë edhe herë të tjera këtë duke ngrënë fjalën. Humbëm rastin që të kemi një President mbi palët dhe që të bëntë detyrën në lartësinë e duhur”, vijoi ai.

Me dështimin e raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit, tashmë sipas Kushtetutës duhen vetëm 71 vota për zgjedhjen e tij në raundin e katërt apo të pestë. Këto vota PS i ka dhe nuk ka nevojë të marrë konsensusin e PD-së për të zgjedhur një emër në krye të shtetit. Diçka të tillë e konfirmoi edhe vetë kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Pyetje – përgjigje

Do merrni pjesë në raundin e katërt?

Ju e dini fare mirë që në raundin e katërt dhe të pestë Rama thotë “unë kam 71 vota”.

Do t’ju rrjedhin vota?

Unë besoj që grupi parlamentar ka mbajtur një qëndrim të qartë politik. Nuk ka asnjë mundësi që të çohet kjo që thoni.

Jeni penduar që u ulët me Ballën? Ndiheni të tallur?

Jo, as i penduar, i tallur jo e jo. Ne kishim përballë procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe ai Meriton seriozitet në proces. Ju mund të thoni a e dinit që këta do e hanin fjalën? Edhe e dija. Morëm pjesë në proces për të mos vijuar me historinë e bojkotit. Ne e kishim detyrimin ndaj shqiptarëve.

Po për 2 reformat zgjedhore dhe elektorale ia keni besën PS-së?

Ne kemi detyrimin ndaj shqiptarëve. E dimë që jemi në opozitë, por dimë edhe që kjo maxhorancë i ka vjedhur votat. Por kjo nuk do të thotë që meqenëse këta kanë vjedhur votat, ne duhet të marrim pushimet dhe të mos marrim pjesë. Rregullat e grupit të opozitës janë të qarta.

Duam të respektojmë vullnetin e deputetëve. Do të përballemi, do të themi fjalën tonë. Sfida është për të treguar nëse jemi të zotë për të përçuar nevojat, interesat të atyre që na kanë votuar. Nëse dështojmë këtu atëherë kemi dështuar, nëse nuk dështojmë atëherë kemi bërë detyrën tonë politike./abcnews.al