Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës nuk ka certifikuar kandidatët nga lista serbe, për zgjedhjet që do të mbahen në 4 komuna të Veriut. Njëri prej anëtarëve ka kërkuar që listës serbe t’i jepet edhe 24 orë kohë që të ndërrojë 3 nga 4 kandidatët.
Kandidatët nga Lista Serbe për kryetar të komunave për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Shtatë anëtarë votuan pro, ndërsa anëtarët e KQZ-së nga VV-ja, Adnan Rrustemi dhe Nazlie Bala abstenuan.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se të gjitha palët që nuk janë të kënaqur me këtë vendim kanë të drejt ankese.
Anëtari i KQZ-së nga LVV-ja Adnan Rrustemi ka kërkuar edhe një herë që Listës Serbe t’i jepet afat edhe 24 orë që të ndërroj emrat e tre kandidatëve dhe të distancohet nga deklaratat që kundërshtojnë shtetësinë e Kosovës.
Tre nga kandidatët e Listës Serbe janë ish kryetarët e po të njëjtave komuna të cilët dhanë dorëheqje si shenjë pakënaqësie ndaj taksës së vendosur nga qeveria e Kosovës për produktet serbe.
Zyrtarë të Listës Serbe nga veriu kanë paralajmëruar se, nëse rizgjidhen të njëjtit në komunat përkatëse ata sërish do të dorëhiqen.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore, të drejtën e votës kanë 58 520 votues, me 1 507 votues më shumë krahasuar me Zgjedhjet Lokale të datës 22 tetor 2017./abcnews.al