Milicia amerikane që javën e kaluar pushtoi faqet e para të gazetave për ndalimin e një grupi emigrantësh në kufirin SHBA-Meksikë po planifikonte të kryente një atentat ndaj ish-presidentit Barak Obama. Ka qenë vetë FBI që pasi arrestoi liderin e grupit bëri publik lajmin për projektet e tij.
Personi i dyshuar si lideri i një milicie në Nju Meksiko të Shteteve të Bashkuara dyshohet se kishte përgatitur plane për të vrarë ish-presidentin Barak Obama. Lajmi është komunikuar nga FBI, që ka nënvizuar se, Lerri Miçëll Hopkins dhe grupi i tij Patriotët e Bashkuar Kushtetues kishin planifikuar gjithashtu të vinin në shënjestër ish-sekretaren e Shtetit Hillari Klinton dhe miliarderin Xhorxh Soros.
Por avokati i Hopkins, i cili u arrestua ditën e shtunë, i ka mohuar të gjitha këto. Hopkins u shfaq në një gjykatë në Nju Meksiko ditën e hënë, nën akuzën se është një kriminel i dënuar në zotërim të armëve të zjarrit dhe municioneve.
Arrestimi i tij erdhi pak ditë pasi grupi i tij nën kërcënimin e armëve bllokoi një grup emigrantësh në kufirin ShBA-Meksikë, një ngjarje kjo që pushtoi faqet e para të gazetave.
Njësia Patriotët e Bashkuar Kushtetues është prezantuar si një mbështetëse e presidentit aktual Donald Trump dhe deklaron se po ndihmon në kontrollin e fluksit të emigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Por veprimet e tyre, të regjistruara me kamera, shkaktuan irritimin e grupeve për të drejtat e njeriut, të cilat dënuan ndalimin agresiv të emigrantëve, mes të cilëve kishte gra e fëmijë./abcnews.al