Sri Lanka, rëndohet bilanci i viktimave

schedule21:45 - 23 Prill, 2019

schedule 21:45 - 23 Prill, 2019

ISIS merr përgjegjësinë për atentatet terroriste në Sri Lanka ditën e Pashkëve, në shenjë hakmarrjeje për sulmin në xhami në Zelandën e Re. Ndërkohë bilanci i viktimave në Sri Lanka është rënduar edhe më tej.

Në Sri Lanka është mbajtur ceremonia e parë mortore për viktimat e sulmeve terroriste të ditës së diel. Nga të dhënat e fundit rezulton se bilanci i viktimave është rënduar në 321 të vdekur dhe mbi 500 të plagosur.

Në vend është shpallur gjendja e jashtëzakonshme për të parandaluar sulme të tjera. Ndërkohë, Shteti Islamik mori përsipër ditën e martë përgjegjësinë e atentateve duke deklaruar se ato ishin një hakmarrje për sulmin në xhaminë e Christchurch të Zelandës së Re.

Vetë qeveria vendase fajësoi një grup islamik lokal për aktet e dhunës, por kryeministri tha se grupi mund të ketë lidhje me ISIS.

“Kjo nuk mund të jetë diçka lokale. Ata ishin të përgatitur mirë dhe kishin një koordinim që nuk e kemi parë më parë”, deklaroi kryeministri i Sri Lankës.

Policia ka arrestuar ndërkohë 40 të dyshuar lidhur me sulmin e shumëfishtë. Mes tyre bën pjesë edhe një shtetas sirian, tek i cili u arrit pas marrjes në pyetje të të dyshuarve vendas.

Ceremonia mortore për 30 nga viktimat u zhvillua në kishën e Shën Sebastianit, në lokalitetin Negombo, në veri të kryeqytetit Kolombo, që ishte dhe një nga objektet e vëna në shënjestër nga terroristët ditën e diel.

Më herët gjatë ditës, një minutë heshtje u mbajt në 8 e 30 me orën lokale, që përkon me kohën kur shpërthyen 6 bombat e para. Flamujt ishin ulur në gjysmështizë dhe njerëzit ulën kokën në shenjë respekti për të ndjerët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!