Një ditë pas finales së madhe të suksesshme të Europa Conference League, presidenti i FSHF Armand Duka u pyet në emisionin “LOG.” nga gazetari Endri Xhafo për rifillimin e mundshëm të konfliktit me kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, që e kishte cilësuar largimin e Armand Dukës nga kreu i FSHF “betejën e jetës së tij”.
Në fakt më herët, në një lajm të ABC, gazetari sportiv Bledar Kuka, duke iu referuar burimeve pranë Federatës, kishte raportuar se, pas finales, kupola e futbollit i ndruhej fort rifillimit të konfliktit nga ana e Bashkisë Tiranë, që ishte pezulluar vetëm pas kërcënimeve të UEFA-s se nëse politika do të ndërhynte në zgjedhjet për FSHF, finalja e Tiranës do të anulohej.
Gazetari Endri Xhafo i kujtoi presidentit Duka se ndërsa ai e falenderoi kryebashkiakun Veliaj në emër të përveçëm, zoti Veliaj jo vetëm nuk i përmendi emrin në falenderimet e tij, – duke falenderuar federatën si institucion, – por në foton me Lorik Canën në prezantimin e kupës së kompeticionit nuk e përmendi zotin Duka që ndodhej edhe ai në foto. Presidenti i FSHF përsëriti se konflikti nuk kishte filluar nga FSHF, por nga Bashkia e Tiranës. I pyetur nëse do ta përfundojë këtë mandat, kreu i FSHF-së tha se “e ardhmja nuk dihet ç’mund të të rezervojë”.
“Mund të shkelësh një lëkurë banane, të biesh mbrapsht dhe nuk je më”, u shpreh Duka. Mirëpo i pyetur nëse do të kërkojë një mandat të dytë si anëtar i komitetit ekzekutiv të UEFA-s, kreu i FSHF u përgjigj pozitivisht. “Fillimisht, – tha ai, – do të shohim nëse e kemi mbështetjen e 55 federatave kombëtare dhe pastaj do të veprojmë”.
Që prej shkurtit 2019, me një mandat katër vjeçar, Armand Duka është anëtar i komitetit ekzekutiv të UEFA-s, qeverisë europiane të futbollit, krahas emrave si Karl-Heinz Rummenigge apo Nasser Al-Khelaifi, presidenti i PSG.
/abcnews.al/