Dy mbledhje paralele, me dy kryetar zhvillohen sot në Selinë Blu. Njëri i zgjedhur pas një procesi të gjatë në PD, Sali Berisha i cili rikthehet në krye të kësaj partie 9 vjet pas dorëheqjes dhe Enkelejd Alibeaj i cili është kryetar i komanduar i PD-së pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, po diskutojnë me mbështetësit e tyre me dy agjenda krejt të ndryshme. Situata e ngërçit në PD vijon prej muajsh dhe asnjëra palë nuk e njeh tjetrën.
Enkelejd Alibeaj ka mbledhur Grupin Parlamentar në kuadër të diskutimeve për emrin e Presidenti të ri. Të paktën 20 deputetë janë në tryezë me Enkelejd Alibeajn dhe pritet të dalin me një qëndrim. Raundi i tretë i zgjedhjes së Presidentit të Republikës është edhe shansi i fundit i opozitës, sipas marrëveshjes paraprake, ndonëse palët kanë kundërshtime. Në limitet e kohës për të dorëzuar një emër për kreun e ri të shtetit, vjen edhe lëvizja e radhës nga Enkelejd Alibejt që sot mblodhi grupin. Afati i fundit për depozitimin e kandidaturave në Kryesinë e Kuvendit është data 29 maj, ora 16:00 ndërsa në Kuvend pritet të kalojnë për votim kandidaturat më 30 maj.
Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se nga ana tjetër Komision i Rithemelimit nga ana tjetër është mbledhur në një sallë tjetër në Selinë Blu. Ata po diskutojnnë për zgjedhjen e anëtarëve të ri të Partisë Demokratike. Pritet që të përpilohet një listë me emrat e garuesëve për 15 vende në Kryesinë e PD-së. Po ashtu do kemi edhe zgjedhjen e kryetarit të ri të Grupit Parlamentar të PD-së. Të shtunë që vjen do jenë anëtarët që do të miratojnë listën e emrave për kryesinë e PD-së. Javën e ardhshme po ashtu do të zgjidhen edhe sekretarët, nënkryetarët e partisë.
/abcnews.al/