Conference League, Rama: Shqipëria la përshtypje fantastike në sytë e Europës

schedule09:38 - 26 Maj, 2022

schedule 09:38 - 26 Maj, 2022

Disa orë pas finales së Conference League kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një falenderim për të gjithë ata që kanë kontribuar që gjithçka të shkonte mirë.

“Mirëmëngjes dhe me falenderimin e përzemërt për të gjithë ata që i dhanë jetë eurombrëmjes së djeshme të Shqipërisë, si edhe me krenarinë për përshtypjet fantastike që Shqipëria la në sytë e mbarë Europës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Ndërkaq edhe ministri i Brendshëm Blendi Çuçi shkruan se sipas tij Shqipëria demonstroi që i ka të gjitha kapacitetet për menaxhuar një event të përmasave të tillë.

“Historia u shkrua në Tiranë. Finalja e madhe shkoi më së miri dhe Shqipëria demonstroi në sytë e mbarë botës që i ka të gjitha kapacitetet për të mirëpritur e menaxhuar një event të përmasave të tilla. Një falënderim të veçantë kam për punonjësit e Policisë së Shtetit, që falë profesionalizmit dhe përkushtimit të tyre të jashtëzakonshëm garantuan mbarëvajtjen e gjithçkaje: nga mbërritja e mijëra tifozëve në pikat kufitare, shoqërimi i tyre drejt stadiumit, grumbullimet në zonat e dedikuara dhe deri te përcjellja për t’u rikthyer sërish në vendet e tyre. Çfarë ndodhi dje ishte një ushtrim kuptimplotë i angazhimit tuaj të përbashkët si asnjëherë më parë për të cilin keni mirënjohjen e pakufishme të të gjithëve”, shkruan ministri.

Pas përfundimit të finales së Konferencë Ligës situata në rrugët e Tiranës ka qenë e qetë. Tifozët e Romës kanë vijuar të festojnë edhe jashtë stadiumit ndërsa ata të Feyenoord janë shpërndarë të zhgënjyer. Shpërndarja e tifozëve është bërë e monitoruar rreptësisht nga forcat e policisë. Nuk janë shënuar incidente pas ndeshjes ndryshe nga mbrëmja e së martës ku pati një sërë përplasjesh mes huliganëve dhe policisë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!