Është hapur plazhi i parë publik për personat me aftësi të kufizuara. Plazhi ndodhet në Golem dhe është një nismë e fondacionit “Së bashku” me mbështetjen e qeverisë austrialiane dhe bashkisë së Kavajës. Drejtuesja e fondacionit, Suela Lala dha një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, ku ndau detaje.
Suela tha se ka 25 vite që është e paralizuar dhe se nuk është larë kurrë në det në vendin tonë. Gjatë intervistës me moderatorin Alban Musa, iniciatorja e kësaj nisme të veçantë rrëfeu mes të tjerash se janë përballur shumë probleme me bizneset private përreth plazhit.
“Duhet një karrige me rrota plazhi që lëviz lirshëm dhe në rërë. E dyta, mund të lahesh me të. Mund të futesh lirisht me të në det si gjithë të tjerët. Nuk kishte një plazh të tillë në vendin tonë. Nuk jam larë kurrë në detin tonë. Ne jemi të fundit në këtë drejtim, sepse ka plazhe të tilla në vendet perëndimore.
Mbase ishim vonë, por falë mbështetjes së qeverisë australiane dhe Bashkisë së Kavajës, u bë e mundur që të kemi një plazh për personat me ndryshe. Nuk ka plazhe private në Shqipëri dhe pse janë kriter për marrjen e flamurit blu. Plazhi gjendet 500 metra nga rrethrrotullimi i Golemit.
Ne donim të jepnim këtë model aty ku turizmi i huaj është më i lartë dhe për të nxitur të tjerët për të bërë të njëjtën gjë për të parë suksesin e kësaj nisme.”, tha Suela. /abcnews.al