Konfirmohet vrasja e një tjetër shqiptari në burgjet greke

schedule17:00 - 22 Prill, 2019

schedule 17:00 - 22 Prill, 2019

Ekspertiza mjeko-ligjore greke ka arritur në përfundimin se shqiptari i vrarë më 27 janar në burgun e Koridalosit është viktimë e një akti kriminal.  Rasti i 34-vjeçarit Bandiol Tusha i është shtuar dosjes hetimore të njohur si “Mafia e Burgut”.

Vdekja e një të burgosuri shqiptar në janar të këtij viti ka ardhur si pasojë e një akti kriminal. Kështu bën të ditur portali grek “kathimerini.gr”, duke iu referuar burimeve nga ekspertiza mjeko-ligjore. Viktima, i identifikuar nga autoritetet greke si Bandiol Tusha, 34 vjeç, u gjet i vdekur mesditën e 27 janarit në qelinë e tij, në burgun e Koridalosit. Hetimi i rrethanave të kësaj vdekjeje i është bashkangjitur dosjes së quajtur “Mafia e Koridalosit”.

Tusha akuzohej ndër të tjera se u kishte ofruar strehë në banesën e tij, në Kalithea të Athinës, ekzekutorëve të avokatit Mihalis Zafeiropoulos, në tetor 2017. Në burg, ai konsiderohej pjesëtar i grupit të Kloadian Lekocajt. Sipas “Kathimerini”, që i referohet hetimeve që po zhvillon shërbimi i anti-terrorit, Lekocaj ishte orvatur që vdekjen e Tushës t’ia faturonte një biznesmeni grek që vuan dënimin në të njëjtin burg, për një abuzim fondesh publike me vlerë dhjetëra milionë euro./abcnews.al