Ndonëse pa shumë jehonë, mediat greke i kanë pasqyruar zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Disa të përditshme të shtypit helen i kanë kushtuar vëmendje rolit, sipas tyre, vendimtar të shqiptarëve në balotazh.
Opinioni dhe media greke i ka përcjellë zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, përgjithësisht si një ngjarje të zakonshme të aktualitetit ndërkombëtar.
Ndërkaq, televizioni publik ERT ka qenë më aktiv në mbulim, me lidhje të drejtpërdrejta disa herë gjatë të dielës, por edhe të hënën.
Mjaft prej gazetave greke të ditës i kanë pasqyruar në faqen e parë zgjedhjet, duke i mëshuar sidomos pjesëmarrjes së ulët në procesin e votimit.
Vetëm dy prej këtyre gazetave, janë thelluar disi më tepër, duke theksuar rëndësinë që do të ketë në balotazh roli i faktorit shqiptar në përgjithësi, por edhe i dy partive opozitare, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët. Kathimerini nënvizon në një koment të vetin, që po qe se balotazhi dështon, atëherë të fituar të përkohshëm do të jenë shqiptarët. “Sepse do të kenë për herë të parë një president republike nga radhët e tyre, përderisa sipas kushtetutës, kryetar i shtetit deri në zgjedhjet e reja do të jetë kryetari i parlamentit, pra Talat Xhaferi.
Mirëpo e përditshmja tjetër Ta Nea, vlerëson që kjo do të mund të jetë një zgjidhje problematike, pasi mund të nxisë tensione ndëretnike.
Gjithsesi, Ta Nea thekson që Xhaferi në karrigen e presidentit të republikës do të mund të dekretojë marrëveshjen e Prespës, si dhe ndryshimet e kushtetutës, që presidenti aktual, Gjorgje Inavov, i refuzon./abcnews.al