Dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani ka hedhur dritë mbi vrasjen e Fatmira Dedajt në shtator të 2013, një vit pasi kishte nisur të gjente autorët e vrasjes së djalit të saj Ervis Deda përmes drejtësisë.
Në dosjen e siguruar nga Abc thuhet se Nuredin Dumani ka deklaruar se gjatë diskutimit Festim Qoli i ka thënë se po e ngushtonte nëna e Ervis Dedes, kjo pasi po interesohej vazhdimisht në Prokurori për vrasjen e djalit dhe ajo akuzonte direkt Festimin. Ai i ka kërkuar Dumanit ta ndihmojë me eliminimin e saj me 40.000 euro. Për këtë vrasje Dumani ka folur me Talo Çelën. Talo Çelës i ka thënë se bëhet fjalë për 30 mijë euro pasi donte të fitonte diçka më shumë vetë.
Duke folur për këtë ngjarje, gazetari Artan Hoxha tha në ABC Live se Fatmira ishte planifikuar që të vritej në varreza pikërisht kur të shkonte te varri i të birit.
“Për Fatmira Dedaj, kanë menduar fillimisht ta vrasin tek varrezat tek i biri. Kishin mundësi për të dhënë një mesazh por edhe për tu larguar. Por kjo nuk u realizua” tha Hoxha. /abcnews.al/