Si Haaland dhe Mbappe po ndryshojnë industrinë e futbollit

schedule12:11 - 20 Maj, 2022

schedule 12:11 - 20 Maj, 2022

Kur përfaqësuesit e Real Madridit u ulën për të negociuar me Fayza Lamarin, nënën e Kylian Mbappe, dhe Delphine Verheyden, avokaten e tij, ata tashmë prisnin që do të kishte një shtytje për të rritur kushtet për të cilat kishin rënë dakord verën e kaluar. Por, ata nuk e prisnin që të kishte një qasje kaq ambicioze.

“Nëse Real Madridi ishte i gatshëm t’i paguante PSG-së 200 milionë euro për Mbappe verën e kaluar, tani ne i duam ato 200 milionë euro pasi nuk ka asnjë tarifë transferimi”, ishte pak a shumë mesazhi.

Ndonëse në fillim mund të ishte dukur një kërkesë e pabesueshme, shpejt u bë e qartë se ishte një kërkesë serioze dhe pasuan disa javë oferta dhe kundëroferta.

Real Madridi përfundimisht arriti të ulte bonusin e nënshkrimit në 130 milionë euro, që do të ishte akoma më i paguari ndonjëherë për një futbollist.

Sa i përket pagës, edhe kjo u rishikua në rritje nga ajo që ishte rënë dakord verën e kaluar, kur marrëveshja ishte 25 milionë euro neto në vit, ndërkohë që pati edhe negociata të reja për të drejtat e imazhit, ku përqindja ishte vendosur mbi 60 për qind.

Është e qartë se industria e futbollit po ndryshon, pasi 63 për qind e lojtarëve që ndërruan klubet në vitin 2020 e bënë këtë si agjentë të lirë në fund të kontratave të tyre me klubet e tyre të mëparshme, sipas të dhënave të FIFA-s.

Yjet e mëdhenj si Mbappe, Erling Haaland, Lionel Messi, Gianluigi Donnarumma dhe Ousmane Dembele ose kanë lëvizur si agjentë të lirë kohët e fundit, ose kanë negociuar marrëveshje duke ditur për përfundimin e kontratave të tyre.

Meqenëse klubet e tyre të reja nuk duhet të paguajnë një tarifë transferimi për ta, ata mund të negociojnë paga më të larta, bonuse të mëdha nënshkrimi dhe komisione më të mira për agjentët e tyre.

Kjo është e ngjashme me mënyrën se si Haaland e ka detyruar Manchester Cityn të përfshijë një klauzolë largimi në vetëm dy sezone, duke mbajtur kështu fatin e tij në duart e tij, ndërsa kështu Mbappe mund të merrte një bonus nënshkrimi prej 130 milionë eurosh nga Real Madrid ose një bonus rinovimi, 180 milionë euro nga PSG.

Si futbollisti më i mirë në botë, ai ka fuqinë e pazarit dhe e di këtë.

Përballë kësaj situate, janë të shumtë në industri që kërkojnë nga FIFA që ta ligjësojë këtë çështje në një farë mënyre, me argumentin se paratë e transfertave nuk qarkullojnë më mes klubeve, gjë që dobëson industrinë.

Në çdo rast, realiteti është se nuk duhet të flasim më për “agjentë të lirë”, pasi ata nuk janë të lirë.

Lojtarët janë kompanitë e tyre dhe po përpiqen t’i heqin klubet e tyre aktuale nga ekuacioni i transfertave për të marrë të gjithë tortën vetë dhe duket se janë në rrugën e duhur për ta arritur këtë./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!