Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se PD është duke dhënë kontributin për të zgjedhur Presidentin e shqiptarëve dhe mbledhja e sotme ishte pjesë e agjendës së kësaj mbledhjeje. Alibeaj tha se grupi do të bëjë një tjetër mbledhje nesër pasdite për të përmbyllur procesin e konsultimit me deputetët e PD-së për procesin si edhe për emrat.
Alibeaj tha se tani për tani i intereson procesi dhe jo emrat. Këta do të dalin në një moment të dytë tha ai, ndërsa theksoi se do të ketë një takim tjetër me aleatët duke nisur nga sot pasdite apo nesër paradite.
Teksa tha se presin mendimin dhe sugjerimet e të gjithë deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së, Alibeaj u pyet disa herë nëse priste mendim edhe nga Berisha, por ai theksoi se bëhet fjalë për Grupin Parlamentar të PD-së. Sipas vendimit të Kuvendit të PD-së në 8 dhjetor 2021 dhe vendimeve që pasuan atë, Berisha nuk është pjesë e këtij grupi.
“Siç besoj se do serioziteti i këtij procesi, në mënyrën më serioze jemi mbledhur sot. Sot u mblodhëm në vijim të asaj të djeshmes, dokumentit të miratuar që dje mori dakordësinë. Diskutuam me sensin më të lartë të përgjegjësisë.
Ishte unison i të 26 kolegëve që të gjitha diskutimet tona, tua bëjmë me dije që në një mbledhje tjetër nesër pasdite për të diskutuar të gjitha këto çështje. Ne nuk kemi as ngut mes nesh për ti konsultuar të gjithë deputetë e PD të shprehin opinionin e tyre për procesin, por edhe për emrat.
Do të konsultohemi me të gjithë edhe me aleatët. Vetëm në këtë mënyrë ky proces duhet të ecë përpara. Po thoja për anëtarët e grupit PD. Kjo ishte kërkesa e të gjithë anëtarëve. Kjo është ajo që me sens të lartë përgjegjësie në si opozitë po bëjmë detyrën. Nesër pasdite do të ketë një tjetër mbledhje”, tha Alibeaj.
I pyetur nëse ka marrë garanci për kandidaturat q ë do të paraqiten, Alibeaj tha: “Unë nuk marr garanci as nga Balla dhe Gjiknuri, por vetëm nga anëtarë të grupit të PD. E drejta për të propozuar është e PD. Hapi i dytë është që i ofrohet palës tjetër që mes katër emrave, të zgjidhin dy. Dhe ky është një mekanizëm që jo vetëm që procesi është i përbashkët. Hapi i tretë është që midis dy kandidaturave duhet zgjedhur një, për të shkuar me një kandidaturë të vetme e mbështetur nga të gjitha palët”.
Ai theksoi se e rëndësishme është që procesi të jetë serioz dhe transparent. Sipas tij, zëri i të gjithë deputetëve duhet të dëgjohet dhe u kërkoi atyre të merrnin pjesë ne mbledhjen e radhës.
“26 kolegë iu përgjigjën pjesëmarrjes. Duke qenë se është një proces që duhet të përfshijnë të gjithë shqiptarët, kolegët thanë që duhet të konsultohen të gjithë anëtarët. Zëri i çdo deputeti do të dëgjohet. Çdo deputet ka të drejtën e vet të marrë pjesë”, tha ai. /abcnews.al