Publikimi i pagave të 630 mijë shqiptarëve ka nxitur autoritetet shqiptare të nisin kontrollet mbi pasurinë e qytetarëve me të ardhura të larta mbi bazën e stilit të jetesës.
Në një intervistë për RTSH-në zëvendësministrja e Financave Vasilika Vjero tha se njësia ka nisur punën me 32 individë të punësuar në sektorin e ndërtimit, tregtisë dhe tregun e sigurimeve. Gjatë intervistimit të tyre Vjero thotë se është marrë për bazë deklarimi i pagës ndër vite.
Zv/ministrja pranon se kontrolli i pasurisë së individëve mbi bazën e stilit të jetesës është proces i ndërlikuar dhe do të marr kohë, por ajo shton se autoritetet kanë marrë ndihmën e duhur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Puna e njësisë antiinformalitet ka nisur fill pas rrjedhjes së të dhënave mbi pagat e 630 mijë shqiptarëve, publikimi i të cilave ngriti dyshime tek autoritetet përgjegjëse mbi deklarimin real të tyre.
Në lupën e njësisë do të kalojnë për këtë vit 100 individë me të ardhura të larta.