Mbi 10 autobusë të cilët transportonin luftëtarët ukrainas që prej javësh qëndronin të ngujuar në fabrikën e çelikut në Mariupol janë larguar nga vendi. Lajmin e bën të ditur Reuters. Lajmi nuk është konfirmuar nga autoritetet ukrainase dhe BBC raporton po ashtu se nuk ka mundur që ta verifikojë rastin në mënyrë të pavarur.
Një komandant i lartë i forcave ukrainase në fabrikën e rrethuar tha më herët në një postim në mediat sociale se luftëtarët po zbatonin një vendim nga komanda e lartë ushtarake ukrainase për të shpëtuar jetën e personelit të shërbimit, por nuk dha detaje se cili ishte vendimi. .
Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, ministria ruse e Mbrojtjes tha se kishte arritur një marrëveshje me Ukrainën që ushtarët e plagosur të evakuoheshin nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal. /abcnews.al/