Një shqiptar është arrestuar nga policia e Ankonës në Itali.
Sipas medieve italiane, i riu shiste kokainën direkt nga makina.
Pasi dorëzonte dozat ai largohej me shpejtësi për “takimet” me klientët e tjerë.
Ai kishte improvizuar një banesë në një bodrum të vjetër dhe policia u përball me vështirësi për ta lokalizuar.
Gjatë kontrollit efektivët gjetën fillimisht rreth 30 gramë kokainë të fshehur në banesë dhe më pas 20 gramë të tjera të fshehura në makinë nën panelin e kontrollit të dritares së automjetit (pajisja që përdoret për të ngritur dhe ulur xhamat).
Shqiptari kishte mbërritur në Itali vetëm disa javë më parë. Përveç kokainës, atij ju gjet në posedim edhe mjete të përshtatshme për paketimin dhe shitjen e drogës.
Policia gjeti dhe sekuestroi 9000 euro cash të cilësuara si të ardhura nga veprimtaria kriminale.
Prokurori urdhëroi arrestimin e tij me burg.
I riu është dërguar në burgun Montacuto në Ankona dhe është në dispozicion të organeve të drejtësisë./abcnews.al/