Meta: Vendimi i Holandës kambanë alarmi

schedule23:24 - 16 Prill, 2019

schedule 23:24 - 16 Prill, 2019

Presidenti Meta e konsideron mocionin e Holandës për rikthimin e vizave, një kambanë alarmi për të gjithë. Në një intervistë televizive, Meta tha se duhet reaguar shpejt, pasi çka ndodhi në Holandë, nuk përjashtohet të ndodhë edhe në vende të tjera të BE.

Lutfi Dervishi: Parlamenti i Holandës me një shumicë të pazakontë ka votuar mekanizimin e kthimit të vizave për shqiptarët, për shkak të asaj që ata e cilësojnë shqetësime për rritjen e kriminalizmit shqiptar në vend. Cili është komenti juaj për këtë votim të parlamentit holandez?

Presidenti Meta: Nuk do të doja t’a nisnim me krizën dhe me njoftimin më të fundit që vjen nga Holanda, megjithatë unë jam këtu për tu pyetur nga ju, kështu që duhet të përgjigjem sipas rendit të pyetjeve që ju më drejtoni dhe mund të them që akti i parlamentit holandez është i paprecedentë. Sepse në dijeninë time, më parë nuk ka ndodhur që të kemi një mocion të tillë për një vend tjetër, të paktën të Ballkanit Perendimor apo të rajonit tonë dhe sigurisht që është një kambanë alarmi për të gjithë ne, për të reflektuar në mënyrë që të japim mesazhe shumë më të forta, më konsistente në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, që është një shqetësim jo vetëm për Holandën, por edhe për disa vende të tjera të Bashkimit Europian, apo për Britaninë e Madhe, pavarësisht nga raporti i saj me BE, por një partner mjaft i rëndësishëm i Shqipërisë.

Së dyti, duhet të punojmë me Komisionin Europian, me vendet e tjera anëtare, në mënyrë që të mos kemi një rast tjetër si rasti i Holandës që do të krijonte një perceptim negativ për vendin tonë. Njëkohësisht ky hap na kujton që janë disa arritje, të cilat nuk janë të dhëna njëherë e përgjithmonë, të cilat mund të cenohen në rast se ne nuk respektojmë detyrimet tona dhe unë shpresoj se kjo nuk do të shkojë më tej, drejt akteve të tjera të cilat mund të kërcënonin liberalizmin e vizave, qoftë në hapësirën Shengen apo qoftë edhe në Holandë për qytetarët tanë, por kërkon edhe një reflektim edhe një angazhim të fortë.

Lutfi Dervishi: A rrezikojmë në këtë rast, sepse ky është votim i kryer, a rrezikojmë që parlamente të tjera të marrin të njëjtën masë?

Presidenti Meta: Përderisa kjo ndodhi në Holandë, kjo nuk përjashtohet të ndodhi edhe në një vend tjetër, por e rëndësishme për ne është që të reagojmë në një mënyrë sa më të përgjegjshme për t’ju përmbajtur detyrimeve që neve kemi, në radhë të parë për qytetarët tanë, por padyshim edhe ndaj partnerëve tanë europianë apo euroatlantikë./abcnews.al