Biseda në studion e Provokacijas me gazetarin Armand Shkullaku nisi me ngjarjen më të fundit, atë të djegies së Katedrales Notre Dame në Paris, si një homazh për një nga monumentet më antike dhe historike. Si frankofon dhe frankofil, Shkullaku rrëfeu emocionet që përjetoi për monumentin 856 vjeçar të arkitekturës gotike.
“Struktura e Katedrales ka shpëtuar dhe mund të ripunohet, dhe kurora me gjemba ka shpëtuar dhe një fond i madh është krijuar për ndërtimin e katedrales 856 vjeçare dhe është bërë thirrje për restauratorët më të mirë të planetit”.
Sipas tij Katedralja është simbol i njerëzimit lidhet me kujtimet, fenë dhe imagjinatën.
“Katedralja është simbol i njerëzimit lidhet me kujtimet, fenë, imagjinatën sa breza janë rritur me historinë e Kuazimodos dhe Esmeraldës, dhe kur shembet diçka e tillë njeriu ndjehet i vogël dhe i sulmuar në thelbin e tij, pavarësisht se është një godinë, po janë këto që e krijojnë kujtesën dhe Franca dhe një pjesë e botës janë të lidhura me atë kujtesë”. /abcnews.al