Pas performancës së Ronela Hajati në Eurovision pati shumë reagime dhe opionione të ndryshme pro dhe kundër këtij përfaqësimi të Shqipërisë.
Në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçin u diskutuan të gjitha arsyet që mund ta kenë çuar në diskualifikim këngëtaren shqiptare. Një ndër të ftuarat, kompozitorja e njohur Eriona Rushiti shprehu se ndonëse fansat nga e gjithë bota kanë dhënë mbështetjen e tyre për Ronelën, ishte juria profesioniste e festivalit që nuk e votoi këtë të fundit.
“Një këngë më komerciale sesa duhet, juria profesionale nuk e ka vlerësuar këtë këngë. Çalonte, teksti lë për të dëshiruar, nuk ka një fabulë, një mesazh. Është improvizuar gjatë gjithë kohës. Mund të jetë rrëzuar nga juria profesionale, pavarësisht se Ronela ka bërë më të mirën e saj, dukej që ishte shumë aktive.”
Kompozitorja reagoi edhe me një status në rrjetin e saj social duke analizuar problematikat e kësaj performance, ndërsa në studio i mëshoi faktit se vokalisht këngëtarja nuk ia doli dhe se kishte realizuar një “art të shëmtuar” ndërkohë që performanca ishte për të justifikuar apo mbuluar problemet vokale dhe jo vetëm.
“Nuk ishte një këngë që mund të shprehte vokalin. Nuk ka gabime por ka një art të shëmtuar, të bërë jo mirë. Unë mendoj se mangësitë e këngës janë munduar të mbulohen apo të tërheqin publikun me këtë lloj performance. Duhej një grep për të kapur publiku dhe u përzgjodh kjo lloj forme.”
Një tjetër mendim kishte opinionistja Neda Balluku e cila beson se “më shumë ka qenë një sfidë e Ronelës me veten sesa përfaqësimi i Shqipërisë, ka qenë një nga përfaqësimet që na ka treguar çfarë jemi dhe ku gjendemi si artistikisht por dhe nga aspekti njerëzor”. Ajo artikulloi se ky ishte momenti në karrierën në ngritje të Ronelës dhe performanca e saj nuk “e tronditi”. Ajo e mbylli diskutimin duke shprehur:
“Siç që të jetë puna, nëse do e konsiderojmë Eurovision si moment përfaqësimi të vendit tonë atëherë duhet ta konsiderojmë Ronelën si person të familjes. Jemi apo nuk jemi dakord, duhet ta mbështesim.”
Gazetarja Ksenja Shoshja tha se “nuk kishte të bënte as kënga, as kërcimi, as veshja por vokali. Vokali e ka penalizuar Ronelën.”/abcnews.al