Kryeministri Edi Rama ka dhënë edhe një sqarim lidhur me kritikat e bërë nga ambasadorja Yuri Kim, për deklaratat e tij ndaj SPAK bërë në Asamblenë e PS.
Rama rishprehur edhe një herë qëndrimin e tij lidhur me nevojën që SPAK-u të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve dhe gjykatësve e prokurorëve të korruptuar, ndërsa theksoi se askush nuk mund ta ndalë të shprehë opinionin e tij për punën e drejtësisë së re.
Pyetje: A e quani ju leksion në gjuhë të huaj këtë qëndrim të ambasadores amerikane kur thotë se reforma në drejtësi do jetë e suksesshme kur të mos mendojmë se është e përshtatshme që drejtuesit politikë në pushtet ose jo të thonë se drejtësia shërbehet kur tjetri shkon në burg apo drejtësia nuk jepet kur nga ana ime përfundon në burg?
“Jam shumë dakord me këtë, pikë për pikë thjesht adresa është gabim se nuk jam unë ky që them se drejtësia po gabon se po vjen te ana ime. Unë po them që si po vjen në anën tonë të shkojë dhe në anën tjetër, ne duam drejtësi 360 gradë. Jam shumë dakord me ambasadoren amerikane nuk kam asnjë dalim këtu, ku e shihni ju dallimin? Po flas për ndërhyrjet, për ndërhyrje për presion, këtë mua nuk ma thotë dot askush as anglisht, as shqip, as gjermanisht fare” tha Rama.
Kujtojmë se pak ditë më parë Rama tha se duhet që SPAK të nis hetime për Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama drejtuar prokurorëve të SPAK-ut për të hetuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta.
Gjatë një konference të KLGJ-së, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili sërish ka përsëriti thirrjen ndaj SPAK për hetimin e Berishës, ambasadorja Kim tha se dretësia nuk mund të funksionojë me urdhra apo porosi.
“Ky nuk është standardi që kërkohet”, u shpreh ambasadorja Kim, duke shtuar se “prokurorët nuk mund të veprojnë kur i urdhëron, porosit apo kërcënon dikush”.
“Sipas normave dhe praktikave të miqve tuaj SHBA, dhe miqve të ardhshëm BE, reforma në drejtësi quhet e suksesshme kur të mos kemi më gjyqtarë dhe prokurorë të papërshtatshëm. Do të quhet normale kur politikanë në apo jashtë fuqisë të mos kërkojnë hetimin e këtij apo atij. Këto nuk janë standardet që kërkojmë të arrijmë në Shqipëri.
Këto nuk janë standardet që kërkojnë shqiptarët kur flasin për reformën në drejtësi. Duhet një drejtësi, ku drejtësia është e verbër, të gjithë janë të barabartë para ligjit. Kur veprojnë prokurorët, nuk duhet ta bëjnë se i ka kërcënuar dikush, i ka porositur dikush apo u ka dhënë para dikush”, u shpreh ambasadorja Kim./abcnews.al/